Borrell uron Shqipërinë për mandatin në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut

10 tetor 2023 | 23:10

Përfaqësuesi i lartë i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka uruar Shqipërinë përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, lidhur me zgjedhjen e vendit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Njëkohësisht, Borrell ka uruar edhe Bullgarinë, Francën dhe Holandën, të cilat po ashtu kanë siguruar nga një mandat trevjeçar në organin e lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Të gjithë 15 anëtarët e sapozgjedhur të duhet të respektojnë standardet më të larta për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në nivel global. Mezi presim të punojmë me të gjithë”, nënvizon kryediplomati evropian në postimin e tij.

Më parë, një urim ka ardhur nga ana e SHBA-ve për Shqipërinë, lidhur me zgjedhjen e kësaj të fundit në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për mandatin trevjeçar 2024-2026.

“Shqipëria ka qenë një zë parimor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe zgjedhja e saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut është një mundësi tjetër për të dalë në mbrojtje të më të cenuarve në mbarë botën”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. “Ne jemi krenarë që qëndrojmë përkrah Shqipërisë në promovimin e dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë në mbarë botën”.

Shqipëria u zgjodh në organin e lartë të OKB-së me 123 vota pro.

Ajo u përzgjodh gjatë votimeve në dy nga tre vendet vakante për rajonin e Evropës Lindore, ku kandidatë të tjerë ishin Bullgaria dhe Rusia.

Lajmin e ka bërë me dije kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter.

“Shqipëria u zgjodh sot në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, për periudhën 2024-26. Një tjetër arritje e madhe e politikës dhe diplomacisë së jashtme shqiptare; një tjetër demonstrim besimi nga OKB dhe shtetet anëtare për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare”, shkruan ai.

Po ashtu, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, shton se këtë herë, vendi është plotësisht i përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut kudo dhe për të gjithë.

Shqipëria ndodhej në kategorinë e përfaqësimit të Evropës Lindore dhe ndante shanse të barabarta me Bullgarinë dhe Rusinë për dy pozita në Këshill.

Megjithatë, vendet anëtare kanë parë si të përshtatshme zgjedhjen e Shqipërisë dhe Bullgarisë në këtë organ të lartë të OKB-së, duke lënë Rusinë jashtë, pas përjashtimit që iu bë vitin e shkuar, pas fillimit të agresionit në Ukrainë.

Në tërësi ndërkaq, u zgjodhën 15 anëtarë të rinj në Këshill, nga e gjithë bota, për periudhën 2024-2026.

Ato janë Shqipëria, Brazili, Bullgaria, Burundi, Kina, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Dominikane, Franca, Gana, Indonezia, Japonia, Kuvajti, Malawi dhe Holanda.

Duhet thënë edhe se Shqipëria ka fituar respektin maksimal për qëndrimet dhe përfaqësimin tejet dinjitoz në Këshillin e Sigurimit, sa për ta zhbërë tërësisht një ndikim të tillë që Greqia mund të ketë në vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Përpos kësaj, vetë Qeveria e Tiranës gëzon besim të plotë nga i gjithë komuniteti evropian – aq sa i ka besuar edhe rolin e një lideri rajonal për çështjet e integrimit, me fillimisht organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, e më tej edhe me organizimin që pritet të jetë ai i Procesit të Berlinit.

Në ndërkohë, ministeriale euro-ballkanike me rëndësi janë zhvilluar gjatë këtyre javëve në Tiranë, si shenjë përgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit.

Si të mos mjaftonte kjo, mandati shqiptar në Këshillin e Sigurimit po mbyllet me një notë të lartë, përmes një nisme të madhe që diplomacia shqiptare ndërmori për krizat humanitare, ku kërkon partneritetin me sektorin privat, duke shtuar ndihmat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Jetish Maloku, zhvilloi…