Borrelli: Bashkëpunimi i BE-së dhe ShBA-së do ta ndihmojë dialogun

21 qershor 2021 | 23:18

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se, së voni, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka treguar para gazetarëve në Bruksel se tani ekziston një bashkëpunim shumë i mirë midis Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut, raporton Rel.

“Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, ka deklaruar Borrell.

Borrell kryesoi të hënën një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku i informoi të pranishmit për rundin e fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi, që u mbajt më 15 qershor.

Në këtë takim, për herë të parë u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pa hyrë në detaje, Borrell u tha gazetarëve se ai u ka paraqitur ministrave një raport për rrjedhën e takimit të fundit, si dhe i ka informuar ata për qëllimin për të mbajtur edhe një takim të kësaj natyre përpara fillimit të pushimeve verore.

Gjatë takimit të parë, Kurti dhe Vuçiq ranë dakord vetëm për nevojën e vazhdimit të dialogut.

Është paralajmëruar se takimi i radhës mund të mbahet në fund të korrikut.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar ndeshjet e grupit B në Euro 2020. Belgjika…