Borrelli dëshiron që asetet e ngrira ruse të përdoren për rindërtimin e Ukrainës

09 maj 2022 | 14:28

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se blloku duhet ta shqyrtojë mundësinë e sekuestrimit të aseteve të ngrira nga rezervat valutore të Rusisë dhe t’i përdorë ato për të ndihmuar në financimin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës pasi të përfundojë lufta.

Borrelli ka thënë për “Financial Times” se një masë e tillë do të ishte e ngjashme me atë të Uashingtonit, kur ky i fundit kishte përdorur asetet e ngrira të Bankës Qendrore afgane, pas kthimit të talibanëve në pushtet, për të ndihmuar Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

Në mars, Rusia ka thënë se sanksionet ndaj saj për shkak të luftës në Ukrainë, kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë asete – gjysma e rezervave të përgjithshme të arit dhe valutës së saj – të mbajtura jashtë vendit nga Banka Qendrore e Rusisë.

“Komisioni Evropian ka thënë se çmimi i rindërtimit mund të arrijë në qindra-miliarda dollarë dhe kryeqendrat e BE-së duhet ta shqyrtojnë mundësinë e sekuestrimit të rezervave të ngrira të valutës ruse për të ndihmuar në financimin e rindërtimit në Ukrainës pas luftës”.

“Ne i kemi paratë në xhepat tona dhe dikush duhet të më shpjegoj pse një vendim i tillë mund të vlejë për paratë afgane dhe jo për paratë ruse”, ka thënë Borrelli, raporton “Rel”.

Pasi talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, administrata amerikane e presidentit Joe Biden, ka ngrirë pothuajse 7 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore, të cilat po mbaheshin në Bankën e Rezervave Federale në Nju Jork.

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë ka thënë se planifikonte që të përdorte gjysmën e aseteve, që aktualisht janë të ngrira në Amerikë, për ndihmë humanitare dhe pjesën tjetër mund ta përdorë për të kompensuar familjarët e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Borrelli ka thënë se një masë e tillë mund të jetë një nga mënyrat përmes së cilave Rusia mund të detyrohet që të paguajë “kompensime të luftës” për pushtimin e paprovokuar kundër Ukrainës, të cilin e nisi më 24 shkurt.

“Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme politike që aktualisht është në tavolinë: kush do të paguajë për rindërtimin e Ukrainës?”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Manchester United, Cristiano Ronaldo nuk e ka ndërmend…