Borrelli: Dialogu në Bruksel, përballje me të gjitha çështjet e hapura
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është duke zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.
Borrelli, në një deklaratë që është shpërndarë nga zyra e tij, ka paralajmëruar se sot në dialog do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.
“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Borrelli, raporton “Rel”.
Borrelli ka thënë se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, por se ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.
Më tutje, ai ka theksuar se në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrelli.