Borrelli mund të shërbejë edhe si avantazh për Kosovën
Kryetari i Bordit Ekzekutiv i Institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka bërë me dije se nuk duhet paragjykuar rolin e kryediplomatit spanjoll Josep Borrell Fontelles i cili është propozuar përfaqësues i Lartë për Punë të Jashtme i BE-së.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se diplomati spanjoll ndaj Kosovës do t’i zbatojë politikat e përcaktuara nga liderët e 28 vendeve anëtare në mirëbesim.
Madje, sipas Kryeziut, Borelli mund të shërbejë edhe si avantazh për Kosovën, duke ushtruar ndikim më të theksuar drejt vendeve mosnjohëse të BE-së.
Kryeziu ka shprehur skepticizëm rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, duke vlerësuar se gjasat janë që procesi të shtyhet për vitin 2020
“Epoka e re”: Z. Kryeziu, në samitin e jashtëzakonshëm evropian, pas diskutimeve të gjata në mes të vendeve anëtare, janë nominuar kandidatët për pozitat kyçe të BE-së. Tashmë është zgjedhur presidentit i Parlamentit Evropian. Çfarë thonë këta emra për të ardhmen e BE-së?
Kryeziu: Samiti i jashtëzakonshëm evropian nominoi kandidatët për pozitat kyçe të BE-së: Znj. Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian; z. Charles Michel, president i Këshillit Evropian; z. Josep Borell Fontelles, përfaqësues i Lartë për Punë të Jashtme; znj. Christine Lagarde, presidente e Bankës Evropiane Qendrore. Znj. von der Leyen, shtetas gjermane, është ministrja aktuale e Mbrojtjes e Gjermanisë. Është e vetmja ministre që ka shërbyer pranë kancelares Merkel qysh nga ardhja në pushtet në vitin 2005. Pas propozimit për t’u emëruar presidente e KE-së, znj. von der Leyen duhet të votohet nga Parlamenti Evropian. Votimi pritet të ndodhë më 15-18 korrik. Në rast të emërimit të saj përfundimtar, kjo do të jetë hera e parë që një femër do të jetë presidente e Komisionit Evropian qysh nga viti 1952. Z. Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shtetas belg, është kryeministër në detyrë i Belgjikës qysh nga viti 2014. Para kësaj, ka qenë ministër përgjegjës për Bashkëpunim Zhvillimor. Emërimi i Michelit është përfundimtar pasi që nuk kërkon procedura të tjera. Z. Borell është ministër aktual i Punëve të Jashtme i Spanjës. Paraprakisht, ka shërbyer president i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri 2007. Pas propozimit për t’u emëruar përfaqësues i Lartë, z. Borell duhet të emërohet përfundimisht nga presidenti i ri i Komisionit Evropian. Znj. Lagarde, drejtoreshë aktuale menaxhuese e FMN-së, paraprakisht ka mbajtur disa poste ministrore në Qeverinë e Francës, mes të tjerash ministre e Ekonomisë, Financave dhe Industrisë nga 2007 deri 2011. Pas propozimit për t’u emëruar presidente e Bankës Evropiane Qendrore, znj. Lagarde do të emërohet përfundimisht vetëm pas pranimit të rekomandimeve dhe opinioneve të Parlamentit Evropian dhe Bordit të Guvernatorëve të Bankës Qendrore Evropiane rreth emërimit të saj. Pas propozimit të znj. von der Leyen për presidente të Komisionit Evropian nga ana e Këshillit, përgjegjësia për vazhdimin e procedurës për konsolidimin e institucioneve të reja të BE-së kalon te Parlamenti Evropian.
“Epoka e re”: Ajo që ka nxitur dilema është propozomi i kryediplomatit spanjoll Josep Borrell Fontelles për postin e shefit të diplomacisë së BE-së. Sa mund të ndikojë në rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi nëse ky proces do të drejtohet nga ky diplomat, vendi i të cilit është kundër pavarësisë së Kosovës?
Kryeziu: Sa i përket nominimit të z. Borell për përfaqësues të lartë të BE-së, konsideroj se nuk duhet nxituar me gjykime rreth qëndrimeve të tij në kohën sa ka shërbyer ministër i Jashtëm i Spanjës. Asokohe qëndrimi i lidershipit të Spanjës ndaj Kosovës ishte i qartë dhe puna e z. Borell ka qenë që të zbatojë këtë qëndrim. Në rolin e tij të ri, si përfaqësues i jashtëm i BE-së, z. Borell nuk do t’i përfaqësojë interesat e Spanjës, por të 28 vendeve anëtare të BE-së. Si i tillë, z. Borell do t’i zbatojë politikat e përcaktuara nga liderët e 28 vendeve anëtare në mirëbesim. Në këtë drejtim, politikat e BE-së ndaj Kosovës janë të qarta. Kosova ka perspektivë të zgjerimit, në harmoni me vende të tjera të rajonit. Detyra e z. Borell do të jetë të gjejë mënyra të avancimit të kësaj perspektive. Prandaj, konsideroj se duhet ta rezervojmë gjykimin ndaj z. Borell dhe t’i japim mundësinë e merituar. Njëkohësisht, konsideroj se fakti që z. Borell vjen nga një vend mosnjohës mund të shërbejë edhe si avantazh, pasi ai mund ushtrojë një ndikim më të theksuar drejt vendeve mosnjohëse të BE-së, duke u konsideruar aktor neutral dhe i besueshëm nga to. Marrë parasysh pozicionin e Spanjës si një vend mosnjohës, do të thotë se z. Borrell do të shihet si një figurë më simpatike në Beograd sesa shumë figura të tjera evropiane. Nëse kjo shfrytëzohet mirë, kjo do t’i japë atij një shkallë të madhe të ndikimit atje. Po ashtu, Borrell ka një mundësi të madhe para vetes, Serbia nuk mund t’i qaset në mënyrë armiqësore atij, duke ditur faktin që ai do të ketë ende ndikim në Madrid.
“Epoka e re”: Kur pritet konsolidimi i plotë i institucioneve të BE-së dhe cilat janë gjasat që më pas të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi?
Kryeziu: Duke marrë për bazë nenin 17.7 të versionit të konsoliduar të Traktatit për Bashkimin Evropian, Deklaratën 11, shtojcë e traktatit, si dhe afatet kohore të konstituimit të institucioneve të BE-së të dala nga zgjedhjet 2014, janë gjithsej tetë hapa drejt konstituimit të institucioneve të reja. Para nesh kanë mbetur edhe këta gjashtë hapa: 1. 3 korrik: mbahet seanca plenare dhe inauguruese e Parlamentit të ri Evropian dhe bëhet zgjedhja e presidentit të ri të Parlamentit Evropian; 2. 15-18 korrik: Parlamenti Evropian voton presidentin e ri të Komisionit Evropian, me shumicën e votave (të paktën 376); 3. gusht/shtator: shtetet anëtare propozojnë komisionarë të tyre, në konsultim me presidentin e Komisionit; shtator/tetor: mbahen intervistat e komisionarëve në komisionet parlamentare të Parlamentit Evropian; tetor/nëntor: votimi i përbërjes së plotë të Komisionit Evropian nga ana e Parlamentit, me shumicën e votave. Këshilli Evropian, me shumicë të kualifikuar, emëron Komisionin e ri Evropian; 6. nëntor: inaugurimi i Komisionit të ri Evropian.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej vlerësimit pozitiv të KE-së dhe të PE-së për liberalizim të vizave për Kosovën, vendet anëtare të BE-së ende po hezitojnë të thonë po. Pse po ndodh kjo?
Kryeziu: Në korrik 2018 Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa në shtator 2018 Parlamenti Evropian votoi pro nisjes së negociatave mes Parlamentit, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për të siguruar lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës. Ky qëndrim i Parlamenti Evropian u rikonfirmua më 28 mars 2019. Sidoqoftë, përkundër vlerësimit të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, vendet anëtare të BE-së apo Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjtë me dy institucione të cekura. Dhe tani qysh nga muaji shtator 2018, Këshilli i BE-së nuk ka ndërmarrë hapat drejt marrjes së vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në këtë kontekst janë katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën: 1. Mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tre vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim përfundimtar dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht, vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës; 2. Raporti i vendit 2019 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke i përcjell të gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe institucionet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprimet nën ndikimin politik. Kosova u konfirmua se është vend i fundit në Ballkan në kuadër të kapitujve të ndërlidhur me sundimin e ligjit – kapitulli 23 dhe 24; 3. Liberalizimi i vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019. Gjatë këtij viti institucionet e BE-së do të jenë të fokusuara në konstituimin e institucioneve të reja të BE-së të dala nga zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, negociatat për buxhetin e BE-së për 2021-2027 dhe menaxhimin e BREXIT-it; 4. Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Brenda BE-së janë disa vende të cilat edhe për arsye të tyre të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca dhe Holanda.
“Epoka e re”: Kryeministri Haradinaj ka shprehur optimizëm se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit. Sa besoni ju se kjo do të ndodhë gjatë vitit 2019?
Kryeziu: Bazuar në ato argumente që paraqita më lart, duhet të jemi skeptikë se institucionet e BE-së do të marrin vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Gjasat janë se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020. Është për keqardhje që krejt kjo padrejtësi po bie mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës të cilëve me pa të drejtë iu mohohet e drejta fundamentale e lëvizjes së lirë dhe për këtë faji kryesor bie mbi pushtetmbajtësit tanë.
“Epoka e re”: Ju keni marrë pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është mbajtur në Poznan të Polonisë. Cilat janë përfitimet nga Samiti i Poznanit?
Kryeziu: Të dielën përfundoi Samiti i radhës i Procesit të Berlinit i mbajtur në Poznan të Polonisë. Në nivelin politik, liderët rikonfirmuan unanimisht mbështetjen e tyre për perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, liderët shqyrtuan progresin në pesë fusha specifike të bashkëpunimit: ekonomia, inter-konektiviteti, marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi dhe çështje të hapura bilaterale dhe siguria. Njëkohësisht, liderët u pajtuan që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të jenë nikoqire të Samitit të ardhshëm të procesit të Berlinit. Kjo do të jetë hera e parë që dy vende do ta bashkëkryesojnë samitin. Kroacia të jetë nikoqire e Samitit të ardhshëm BE – Ballkani Perëndimor në maj 2020. Shqipëria do të jetë nikoqire e Samitit të ardhshëm Digjital në vitin 2020. Po ashtu, liderët kanë mirëpritur ofertën e Kosovës dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës që të jenë nikoqire të takimeve përgatitore të procesit të Berlinit gjatë vitit 2020. Samiti pajtoi pakon e ardhshme investuese për avancimin e inter-konektivitetit në mes të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. U miratuan tetë (8) projekte me investim të vlerësuar prej 728.2 milionë eurosh në avancimin e transportit rrugor, hekurudhor dhe sistemit energjetik. Në këtë drejtim, BE-ja do të financojë këto investime me grant prej 180 milionë eurosh. Përveç granit të BE-së, investimet do të financohen nga buxheti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kredi nga Banka Evropian për Investime (EIB), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Banka Gjermane Zhvillimore (KfW).
Muhamet KOCI