Borrelli paralajmëron se fqinjësia e Evropës është në ‘zjarr’, përmend Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, ka paralajmëruar këtë të enjte se fqinjësia e Evropës “është në zjarr”, përtej një lufte në Ukrainë, “valët goditëse” të së cilës janë ndjerë në të gjithë botën sa i përket çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve.
“Fqinjësia jonë është në zjarr. Kriza në Moldavi dhe Serbi, Kosovë, Siri, Libi…”, ka thënë ai në një aktivitet të organizuar nga Universiteti IE në Madrid, raporton mediumi spanjoll, “EuropaPress”.
Borrelli ka mbështetur fjalët e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kur ai ka paralajmëruar për sfidat e mëdha me të cilat përballet bota përtej Ukrainës dhe nevojën për t’i trajtuar të gjitha në mënyrë të barabartë.
Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se në kohën e pushtimit rus të Ukrainës, ai e kuptoi menjëherë se “historia kishte ndryshuar”, se një “faqe e re” e saj po hapej dhe se ky vendim i presidentit rus Vladimir Putin do të sillte pasoja për të gjithë, veçanërisht ukrainasit.
Në këtë kuptim, ai ka mirëpritur reagimin e shpejtë të BE-së, e cila deri më tani ka ndarë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën. “Fatura është e lartë, por shumë më tepër për ukrainasit që po humbasin shumë njerëz dhe vendi i tyre po shkatërrohet”, është ankuar ai.
“Duhet të jemi të sigurt se Ukraina do të mbizotërojë”, ka theksuar Borrelli, i cili është ankuar edhe një herë, si në rastet e mëparshme, për varësinë nga lëndët djegëse fosile që vijnë nga Rusia. “Kjo nuk filloi me luftën, por lufta e ka përkeqësuar atë”, ka thënë ai.
“Çmimi i energjisë është çmimi i lirisë. Ukrainasit po e paguajnë. Ajo që kishim ishte një varësi e tepruar nga gazi rus”, ka pranuar kreu i diplomacisë evropiane, duke shtuar se si shtete anëtare të BE-së, si Hungaria apo Gjermania, kishin Rusinë pothuajse furnizuesin e vetëm.