Borrelli pret marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë

26 prill 2021 | 17:33

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.

Këto komente ai i bëri të hënën gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Borrell ka shprehur bindjen se dialogu do të vazhdojë në muajin maj, me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. “Po bëjmë çmos për të vazhduar dialogun dhe shpresoj se më 11 maj një takim”, është shprehur ai.

Borrell ka thënë se e vlerëson përkushtimin e presidentit Vuçiq për dialogun me Kosovën për të arritur deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. “Pres arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes, pa marrë parasysh vështirësitë”, ka deklaruar Borrell.

Në Bruksel, këtë javë do të qëndrojë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Borrell ka shtuar se për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së janë tri kushte kryesore: normalizimi i raporteve me Kosovës, sundimi i ligjit dhe që Serbia të përshtatë me qëndrimin e BE-së politikën e saj të jashtme.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme për një dialog konstruktiv.

Ai ka thënë se Serbia do të punojë për të përmirësuar atmosferën për arritjen e marrëveshjes. “Nuk mundemi vetëm të vazhdojmë duke punuar dhe duke u takuar, por duhet të arrijmë një rezultat substancial”, ka thënë Vuçiq.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë Lorik Cana ka vizituar sot…