Borrelli: Të bëhet gjithçka për zgjedhjet e reja në veri, shtetet anëtare të BE-së do të marrin masa nëse nevojitet
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka thënë se kishte një diskutim të gjatë për çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Borrelli ka thënë se ministrat e Jashtëm kanë kërkuar të gjendet një zgjidhje për krizën në veri, duke shtuar se pasi Serbia ka liruar tre policët e Kosovës, hapi i radhës është të bëhet gjithçka për t’i mbajtur zgjedhjet e reja.
Ai ka bërë me dije se “shtetet anëtare do të marrin masa nëse është e nevojshme”.
“Shtetet anëtare mbeten të gatshme të marrin masa nëse nuk shihet përparim. Ne ramë dakord që zgjedhjet duhet të mbahen”, ka thënë Borrelli pas diskutimit me ministrat e Jashtëm të BE-së, duke përmendur se në to duhet të marrin pjesë edhe serbët.
“Zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të dyja palët”, ka thënë ai, raporton “Express”.
Më tutje, Borrelli ka thënë se shtetet anëtare të BE-së kanë nënvizuar “shqetësimet e forta” për tensionet e vazhdueshme në veri.
“Shtetet anëtare, dua ta theksoj, shtetet anëtare nënvizojnë shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës”, ka thënë kryediplomati evrpian, duke transmetuar kërkesën e tyre për shtensionimin e situatës.
Borrell ka raportuar para kryediplomatëve të shteteve të BE-së për zhvillimet e fundit në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas takimeve që i pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq para një jave.