Borshi – fshati i rilindur, sot atraksion i rëndësishëm turistik
Shkruan: Berat Luzha
Në Rivierën shqiptare, përgjatë detit Jon dhe rrugës panoramike Vlorë – Sarandë, ndodhet fshati i madh piktoresk, Borshi. Borshi është një fshat i bukur bregdetar me rreth 2500 banorë, i quajtur edhe si perla e bregdetit të jugut. Është fshat me karakteristika të veçanta i Bashkisë së Himarës dhe i Rrethit të Vlorës.
Gjiri mahnitës disa kilometrash, i shtrirë përpara fshatit, e ndanë dhe e bashkon tokën me detin, kurse përpara na shfaqet hapësira e kaltër e detit të paanë. Borshi shtrihet në Bregun e Detit, mes qyteteve Himarë (16 km) e Sarandë (37 km) dhe 235 km nga Tirana.
Për të shkuar në Borsh dhe në pjesën e poshtme të Bregut të Detit nuk ka nevojë të shkohet nga Vlora. Rruga e re e Lumit të Vlorës, e ndërtuar tash, së voni, nis nga Levani, në autostradën Vlorë – Fier dhe, përmes Kuçit, del në pjesën e poshtme të Bregut të Detit, në Borsh.
Fshatrat e Bregut të Detit apo të Rivierës Shqiptare janë shumë të bukur. Njëri nga këto fshatra është Borshi, një vend ku udhëtari patjetër do të ndalet, së paku për një kafe, e të pushojë nën rrepet shekullore dhe mbi ujërat e një ujëvare, që gurgullojnë poshtë këmbëve. Aty gjen të harmonizuar një natyrë magjepse, të përbërë nga malet e gjelbëruara, nga fusha e gjerë e deti i kaltër, e që shoqërohen nga një klimë e favorshme me diell, si dhe me plazhe shumë të gjera e të gjata. Dhe, aty gjen edhe bujtina mjaft të mira, ku mbretëron mikpritja e ngrohtë borshjote. E borshjotët mbijetojnë nga turizmi familjar.
Fshati Borsh është i vendosur në një gropë të ngushtë sipër detit, në lartësi nga 0 deri 500 m mbi nivelin e detit, me reliev të thyer e me shpate shumë të pjerrëta. Shtëpitë janë karakteristike, të ndërtuara me gur, të gjitha dykatëshe. Borshi paraqet kufirin mes rrethit të Vlorës dhe të Sarandës, por edhe kufirin mes të vjetrës dhe të resë, të butësisë dhe ashpërsisë, të kaltërsisë së detit dhe të gjelbërimit të maleve.
Borshi është një fshat me histori të pasur, me monumente kulturore e historike. Nga historia e dhembjes e këtij fshati veçojmë luftërat e borshiotëve me trupat greke në vitet 1913 e 1914. Në vitin 1913 Borshi u sulmua dhe u pushtua nga ushtria greke, me ç’rast u zhvilluan luftime të ashpra. Kurse në vitin 1914, rreth 300 ushtarë grekë e kanë rrethuar e pastaj e kanë çarmatosur Borshin, duke e mbajtur nën rrethim të plotë. Ndaj popullsisë vendore janë zbatuar tortura të rënda e vrasje masive të popullsisë. Në këtë situatë të rëndë, një çetë borshiotësh dolën në mal dhe filluan luftën me ushtarët e huaj. Kështu, pas luftës disaditëshe, ushtarët grekë u detyruan të largohen, por pasi e dogjën dhe e masakruan fshatin. Në gjendjen e shkatërruar e të masakruar të fshatit, popullsia u detyrua ta braktis vendbanimin dhe të vendoset më poshtë, ku është tash.
Borshi i Vjetër, që u dogj e u shkatërrua nga ushtria greke, ndodhet më lart Borshit të sotëm, pas kështjellës së Borshit. Në vitin 1914 kishte rreth 500 shtëpi me rreth 5000 banorë. Fshati është i mbështetur në malet e Labërisë dhe qëndron si një portë detare e Labërisë. Borshi kishte dhënë shumë intelektualë, politikanë e ushtarakë të njohur, që ishin të angazhuar në lëvizjen kombëtare. Një pjesë e Borshit ishte larguar në Itali fill pas pushtimit osman, por i ka ruajtur lidhjet e gjuhës e të gjakut me pjesën e mbetur në atdhe.
Kështjella e Borshit, e njohur në mesjetë si Kalaja e Sopotit, qëndron mbi fshat, në kurrizin e kodrës Kala, 500 metra mbi nivelin e detit dhe 3 km larg Borshit. Një rrugë këmbësore, mjaft e dëmtuar, që qon në Kështjellë, sikur na thërret t’i ngjitemi për ta vizituar objektin antik. Kjo kështjellë, me pozitë strategjike, që ka sipërfaqe prej pesë hektarësh, është një vendbanim i fortifikuar i shek. XII, por i ndërtuar mbi rrënojat e një qyteti antik të shek. IV-III p.e.r., i quajtur Meandria. Aty ruhen pjesë të një muri rrethues parahistorik 10 metra i lartë. Këtë kështjellë e ka përmendur, në kujtimet e saj, në vitin 1192, Ana Komnena, vajza e perandorit bizantin, Aleksi I Komneni. Kështjella është pushtuar nga Osmanët në vitin 1417, kurse në kohën e Ali Pashë Tepelenës brenda saj është ndërtuar një xhami, që njihet si xhamia e Haxhi Bendos. Në kështjellën e Borshit Gjergj Arianiti i Kaninës dy herë është ndeshur me forcat osmane dhe të dy herët ka dalë fitues.
Lugina e Borshit, njëri nga vendet më të bukura në Shqipëri, është e gjatë 12 km. Në këtë luginë shtrihet plazhi i tij i kristaltë me gjatësi prej 6 km. Rruga për në plazhin më të gjatë në Bregun e Detit kalon përmes ullishtave të gjera.
Poshtë fshatit dhe buzë rrugës për Sarandë zhurmon dhe zbret teposhtë një burim i fuqishëm uji, duke krijuar përroin dhe ujëvarën më të bukur të Bregut të Detit, i quajtur Lxuari i Borshit apo Buronjat e Malit. Në këtë vend është ndërtuar një lokal hotelier mbi rrëketë e ujit, që paraqet një vend ideal për pushim dhe një pikë të paparë turistike. Një burim në bregdet, ku thuhej se pinin ujë perënditë, 2 km nga kështjella e Borshit, është Kroi i Zonjave të Borshit, një krua i rezervuar për zonjat e kështjellës së Borshit.
Shumë banorë, veçanërisht të rinjtë e Borshit, janë larguar në mërgim, kurse ata që kanë mbetur, rreth 500 vetë, merren me bujqësi e blegtori, si dhe me agroturizëm. Borshi është i njohur për fusha të gjera me ullishte, për prodhimin e vajit cilësor të ullirit dhe për plazhin e gjerë e të gjatë 7-kilometërsh. Mirëpo, gjatë 30 vjetëve të fundit mrekullitë e natyrës janë lënë në mëshirën e fatit. Sidomos janë dëmtuar brezaret me ullinj e portokall. Në këtë fshat turistik kanë munguar, më shumë se çdo kund tjetër, investimet në infrastrukturë. Për mungesë të një plani rregullues, ndërtimet janë bërë pa plan e pa projekte. Ka probleme edhe me rrugë të pashtruara, me ujë të pijes, me energji elektrike etj. Edhe pse fshat shumë i bukur, problemin më të madh e ka me mbeturinat.
Në Borsh mbahet çdo vit, në muajin prill, festivali tradicional “South Outdoor Festival” (SOF) që përbëhet me pika në kulturë, muzikë, sport, lojëra, argëtime, panaire, natyrë e gatime të traditës dhe me pjesëmarrje të artistëve të vendit dhe të huaj. Festivali përuron turizmin e detit, traditën e vendit, prodhimet dhe aventurat që mund të zhvillohen në fshatrat e bregdetit jonian. Në Borsh organizohen edhe manifestime tjera të ndryshme kulturore, si Nata e Yjeve, Panairi i Pranverës etj.
Në plazhin përrallor të Borshit ndodhesh mes detit, diellit e gjelbërimit, ndodhesh aty ku uji është i kristaltë, aty ku në vend të rërës ecën nëpër guralecët e bardhë e të ngrohtë, aty ku gjen aromë të këndshme të detit dhe qetësi të plotë. Edhe shërbimet në lokalet hoteliere e në bujtina janë të duhura, me çmime të ulëta e me gatime të freskëta deti.
Borshi ndërron pamje gjatë stinës së verës. Ai sikur ringjallet kur mijëra turistë ia mësyjnë këtij vendi të vogël, por shumë të bukur. Numri i popullsisë në fshat, gjatë sezonit turistik, shumëfishohet. E Borshi i dhuron mysafirit natyrë, histori, legjenda, qetësi. Bregdeti i pafund i Borshit është i rrethuar me brezare dhe plantacione ullinjsh e agrumesh. Ka pozitë të përshtatshme gjeografike mes malit e detit, ka ujëra të shumtë, detin, diellin, gjelbërimin.
Borshi, i shkatërruar e i masakruar nga ushtria greke pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ka rilindur nga hiri, si feniksi. Sot Borshi dhuron bukuri e bardhësi, fushë e mal, det e qiell, diell e ngrohtësi, gjelbërim e kaltërsi. Borshi është fshat turistik, për turizëm bregdetar, kulturor e historik.