Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan
Borxhi prej rreth 30 milionë eurove i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) karshi institucioneve private në vend dhe atyre jashtë vendit, po i lë pacientët pa marrë trajtim shëndetësor për mjekimin që nuk po mund ta marrin në institucionet publike. Kjo po ndodh pasi që fletë-zotimet e lëshuara nga FSSH-ja nuk po njihen nga këto spitale për shkak të borxheve të papaguara.
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve ka kërkuar që sa më shpejt institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje për pagesën e këtij borxhi, pasi pacientët vetëm sa po varfërohen, duke u munduar t’i sigurojnë vetë mjetet për shërim.
Ndërsa nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, kanë thënë se si institucion nuk kanë mjete për shlyerjen e këtij borxhi milionësh, kurse ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se do të bëhet një plan për këtë çështje bazuar në evidenca.
Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra, ka deklaruar se pacientët e Kosovës po pësojnë nga këto telashe financiare që i ka Fondi për Sigurime Shëndetësore.
Ai ka thënë se fletë-zotimet e lëshuara nga Fondi nuk po u njihen pacientëve, të cilët më pastaj po detyrohen vetë t’i sigurojnë paratë për trajtim shëndetësor.
“Pacientët po bien pre edhe njëherë që Fondi për trajtim jashtë institucioneve publike nuk po administrohet në mënyrë më të mirë dhe pacientët janë duke pësuar në vazhdimësi për të marrë shërbime shëndetësore në një institucion tjetër. Deri më tash nuk ka ndonjë përgjegjësi të caktuar, sa i përket këtij Fondi mendoj se duhet të fillohet të kërkohet përgjegjësia në mënyrë që pacientë të fillojnë dhe të marrim shërbimet shëndetësore që u nevojiten. Spitalet nuk ua njohin zotimet që jep FSSH-ja nuk i njohin në vendet tjera, pacienti detyrohet t’i mbledh paratë vetë dhe të paguajë për atë shërbim që dëshiron ta merr jashtë institucioneve publike, ato zotimet që i ka dhënë Fondi nuk i njohin asnjëherë dhe kjo padyshim që shkakton probleme, sepse disa sëmundje janë shumë të kushtueshme dhe pacientët nuk mund t’i mbulojnë. Duhet të paguhen këto borxhe shumë shpejt dhe institucionet duhet të marrin masa që të zvogëlojnë nevojën që qytetarë të trajtohen jashtë institucioneve publike. Pra, t’i përmirësojnë shërbimet shëndetësore brenda vendit dhe maksimizojnë mundësinë që ata të trajtohen këtu”, ka thënë Kodra.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri ka deklaruar se tashmë kanë themeluar një Komision që ka për obligim evidentimin e borxheve, të cilat Fondi i ka në spitalet private e publike jashtë vendit.
Kaçuri ka thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka mundësi financiare për shlyerjen e këtij borxhi milionësh, por ka theksuar se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë premtim konkret nga Ministria e Shëndetësisë në këtë drejtim.
“E kemi themeluar një komisioni që ka për obligim evidentimin e të gjitha borxheve të cilat Fondi i ka ndaj spitaleve publike kryesisht jashtë vendit dhe private brenda vendit dhe ka për obligim evidentimin e këtyre borxheve dhe saktësimin e tyre dhe pastaj të shihet mundësia e shlyerjes së këtyre borxheve përmes programimit apo arritjes së ndonjë marrëveshje kryesisht me spitalet turke ku e dimë që spitalet turke kanë numrin më të madh të këtyre obligime. Konkretisht nuk kemi marrë ndonjë premtim që shuma komplet do të paguhet, mirëpo kjo punë vazhdon se duhet një proces, duhet të pasqyrohet njëherë gjendja në të cilën jemi. Është e vërtetë që ne si Fond nuk mund t’i mbulojmë të gjitha këto shpenzime që i kemi trashëguar në numër të madh të obligimeve marrë për bazë se asnjëherë nuk janë respektuar mundësitë buxhetore që i ka pasur Fondi dhe janë aprovuar kërkesa jashtë mungesa buxhetore”, ka thënë ai.
Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSh-së, Bujar Kaçuri, ka pranuar se ka raste kur spitalet ndaj të cilave ka borxhe Fondi, pacientëve nuk po ua pranojnë fletë-zotimet e lëshuara nga ky institucion.
“Ka raste kur spitali nuk e pranon fletë-zotimin, të cilin e lëshojmë ne si institucion, por Fondi nuk ka ndonjë mekanizëm që do tu dilte në ndihmë këtyre pacientëve. Është vendim i spitaleve dhe në arsyetim thuhet se për shkak të borxheve të mëdha të papaguara nga Fondi nuk mund t’i trajtojmë pacientët, momentalisht nuk kemi ndonjë mundësi për t’u dalë në ndonjë formë apo ndonjë ndihmë tjetër t’ua ofrojmë pacientëve”, është shprehur Kaçuri, shkruan “Kosovapress”.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke mos dhënë ndonjë afat se kur mund të bëhen këto pagesa ka deklaruar se kanë takuar spitalet ndaj të cilave Fondi ka borxhe dhe tashmë po presin evidencat e një grupi punues në bazë të të cilave do të hartohet edhe plani për shlyerjen e këtyre borxheve.
“Ne kemi pasur edhe takime dhe komunikime me spitalet, të cilave Fondin i Sigurimeve Shëndetësore u ka borxhe, është formuar një ekip punues brenda Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ku do të kontaktohen të gjitha spitalet në mënyrë që të bëhet evaluimi i të gjitha këtyre borxheve dhe të ndërtohet edhe një plan se si do të lahen këto borxhe, por bazuar në këto evidenca që ky grup punues do t’i paraqes si borxhe të detajuara dhe mirë analizuara”, ka thënë Vitia.
Vitin e kaluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorim dhe keqmenaxhim për trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi, Bordi i Fondi e ka shkarkuar nga detyra e drejtorit të Fondit, Fatmir Plakiqin.