Borxhi joproduktiv
Albin Kurti
Borxhi Shtetëror i Republikës së Kosovës në vitin 2018 tejkaloi shifrën prej 1 miliardë eurove.
Dikujt mund t’i duket pak, por kur merret parasysh që kjo shifër është arritur në më pak se një dekadë, atëherë trendi merr formë të frikshme dhe një shteti të tillë nuk mund t’i përshkruhet e ardhme e mirë fiskale.
Borxhi i jashtëm i Kosovës është 416 milionë euro, ku prej tyre 75% e kemi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZh) – të dyja marrin pjesë me nga 160 milionë euro.
Paratë e së parës (FMN) kanë shkuar në paga dhe asfalt dhe ato duhet të kthehen brenda 5 viteve, kurse paratë e së dytës (BNRZH) nuk i kemi parë kurrë, sepse ato janë në fakt borxh i trashëguar nga ish Jugosllavia, që në fillim ishte 381 milionë euro, por që tani ka rënë sepse një pjesë është shlyer.
Borxhi i brendshëm, nga ana tjetër, është 613 milionë euro, dhe vjen prej emetimit të Letrave me Vlerë, para këto që gjithashtu kanë shkuar për asfalt dhe paga, sepse nuk kanë pasur ndonjë dedikim të caktuar.
Dikush mund të pyesë se ku kanë shkuar gjithë këto mjete financiare dhe ku qëndron efekti ekonomik e shoqëror i këtyre mjeteve?
Sikurse që mund të pyesë se si u bë që në vend se të marrim pjesë në ndarjen e pasurisë së ish Jugosllavisë, ne marrim pjesë vetëm në borxhin e saj?
Apo, si u bë që duhet t’ia paguajmë Serbisë borxhet, ndërkohë që ajo përveç se ka grabitur fondin pensional dhe depozitat bankare të Kosovës, ende na ka borxh për dëmet e luftës dhe okupimit?
Nëse e shikojmë borxhin shtetëror të Republikës së Kosovës, kreditë që janë marrë dhe projektet për të cilat janë përcaktuar ato mjete financiare, atëherë shohim se si shuma të vogla dhe mesatare janë ndarë për ujësjellës, ujëra të zeza, infrastrukturë shkollore e spitalore, ndërsa shumat e mëdha për investime në infrastrukturë rrugore e autostrada që lehtësojnë qarkullimin e kapitalit të huaj në vend, për ta lënë një pjesë që sërish futet në qarkullim si pagesë ndaj borxhit të marrë për këto projekte.
Pra, rritja e borxhit shtetëror të Republikës së Kosovës nuk është se ka shkuar në investime që e rrisin ekonominë vendore.
Në vend të kësaj, borxhi ka shkuar në ngritje të pagave në sektorin publik dhe në asfalt, duke u shoqëruar me mungesë transparence në këto projekte e me afera korruptive që kanë përcjellë shpenzimin e këtyre parave.
E kulmi i gjithë kësaj është transparent: tendenca e shlyerjes së borxhit me borxh, çfarë po shkon duke e rritur në vazhdimësi borxhin.
Kjo lehtësi e shtimit të borxhit shtetëror, përcjellë me afera korruptive, dhe sidomos mungesa e vizionit të qeveritarëve kosovarë, e kanë lënë ekonominë në stagnim, gjë që reflektohet te mungesa e trefishtë: mungesa e fuqisë blerëse, mungesa e prodhimit dhe mungesa e punësimit.
Si mund të ec para ekonomia gjersa pasuria e fituar nga vjedhja e tejkalon pasurinë e fituar nga prodhimi dhe puna e ndershme?
Nëse borxhi do të përdorej për ta ndihmuar ekonominë të forcohet në disa sektorë strategjikë, ekonomia do të rritej dhe të ndihmonte në zvogëlimin e problemeve sociale dhe papunësisë.
Kuptohet, kjo kërkon vizion zhvillimor, moral të fortë dhe transparencë radikale.
(Autori është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputet i Kuvendit të Kosovës)