Borxhi publik shënoi rritje 14.6 për qind
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vlerësimin e tremujorit të tretë të ekonomisë (TM3), të hyrat buxhetore deri në shtator 2017 shënuan rritje prej 3.8 përqindësh.
“Të hyrat buxhetore deri në shtator 2017 arritën vlerën neto prej 1.23 miliardë eurosh, që paraqet një rritje vjetore rreth 3.8 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së. Sipas BQK-së, pos të hyrave, rritje kanë shënuar dhe shpenzimet me rritje vjetore rreth 7.2 për qind.
“Në të njëjtën periudhë shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.17 miliard eurosh, që paraqet një rritje vjetore rreth 7.2 për qind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi bilanc primar buxhetor prej 60.8 milionë eurosh krahasuar me bilancin prej 95.1 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit 2016”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sipas të dhënave zyrtare të raportit për vlerësimin e tremujorit të tretë të ekonomisë, sa i përket llojit të tatimeve, vërehet rritje më e lartë e të hyrave tatimore jodirekte të cilat arritën vlerën prej 953.8 milionë eurosh (5.4 për qind rritje), ndërsa të hyrat tatimore direkte shënuan rritje të lehtë prej 0.5 përqindësh dhe arritën vlerën prej 179.4 milionë eurosh.
“Rritje edhe më e lartë e të hyrave buxhetore është shënuar tek të hyrat jotatimore, të cilat arritën vlerën prej 138.4 milionë eurosh (8.8 për qind rritje). Sa iu përket shpenzimeve, pothuajse të gjitha kategoritë u karakterizuan me rritje. Shpenzimet qeveritare për paga dhe mëditje shënuan rritje të lehtë prej 0.7 përqindësh dhe arritën vlerën 410 milionë euro. Mallrat dhe shërbimet (përfshihen edhe shpenzimet komunale) shënuan rritje prej 6 përqindësh dhe arritën vlerën 137.2 milionë euro. Subvencionet dhe transferimet shënuan rritje për 8.9 për qind dhe arritën vlerën 349.2 milionë euro”, është thënë në raportin e BQK-së.
Duke iu referuar këtij raporti, rritjen më të lartë e shënuan investimet kapitale të cilat arritën vlerën prej 279.8 milionë eurosh që janë për 18.6 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit të kaluar. Ndërkaq sa i përket borxhit publik, sipas BQK-së, vërehet rritje e borxhit publik nga 14.3 për qind në 15.8 për qind.
“Borxhi publik arriti në 965.4 milionë euro në shtator 2017, që tregon për një rritje prej 14.6 përqindësh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në rreth 15.8 për qind, nga 14.3 për qind sa ishte në shtator 2015. Kjo rritje e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të jashtëm prej 15.6 përqindësh (vlera e të cilit ka arritur në 426 milionë euro) dhe borxhit të brendshëm prej 13.9 përqindësh (539.4 milionë euro)”, thuhet në raportin e vlerësimit të tremujorit të tretë të BQK-së.
Sa i përket deficitit tregtar, sipas BQK-së, deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale ka shënuar vlerën prej 154.2 milionë eurosh. “Deri në shtator të 2017-s deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale ka shënuar vlerën prej 154.2 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 323.2 milionë eurosh në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ky deficit i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale i atribuohet kryesisht deficitit në llogarinë e mallrave. Në anën tjetër, bilancet pozitive të shërbimeve, llogarisë së të ardhurave parësore dhe llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan rritje. Deficiti në tregtinë e mallrave u karakterizua me rritje vjetore prej 6.4 përqindësh deri në shtator 2017”, është thënë në raportin e BQK-së, duke shtuar se eksporti i mallrave arriti vlerën prej 284.4 milionë eurosh, që përkon me një rritje vjetore prej 25.9 përqindësh.
“Rritja e vlerës së eksportit të mallrave gjatë kësaj periudhe kryesisht i atribuohet rritjes së eksportit të metaleve bazë, produkteve minerale, ushqimeve të përgatitura, pijeve, perimeve etj. Në anën tjetër, me një rënie të lehtë u karakterizua eksporti i këpucëve. Rritja e vlerës së eksportit të mallrave gjatë kësaj periudhe kryesisht i atribuohet rritjes së eksportit të metaleve bazë, produkteve minerale, ushqimeve të përgatitura, pijeve, perimeve etj”, thuhet në raport. Sipas BQK-së, në anën tjetër, me një rënie të lehtë u karakterizua eksporti i këpucëve dhe vlera e gjithsejtë mallrave të importuara arriti në 2.2 miliardë euro deri në shtator 2017, që paraqet një rritje vjetore prej 8.6 përqindësh.
“Rritja e importit ishte kryesisht rezultat i rritjes së produkteve minerale, ku përfshihet importi i naftës dhe derivateve të saj, çmimet e të cilave janë rritur në tregjet ndërkombëtare. Me rritje është karakterizuar edhe importi i mjeteve transportuese, metaleve bazë, pijeve dhe duhanit etj. Në anën tjetër, importi i perimeve, artikujve të gurit, qeramikës, qelqit etj., shënuan rënie”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti, në shtator të vitit 2017 shkalla e mbulueshmërisë së importeve me eksporte ishte 12.8 për qind, kurse 11.1 për qind në shtator të vitit 2016. “Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 703.2 milionë eurosh deri në shtator 2017, një rritje prej 33.5 përqindësh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara shënoi rritje vjetore prej 23.5 përqindësh, duke arritur në 1.1 miliard euro, ndërsa vlera e shërbimeve të importuara shënoi rritje prej 9.4 përqindësh dhe arriti në 413.1 milionë euro. Në kuadër të eksportit të shërbimeve, shërbimet e udhëtimit përbëjnë kategorinë kryesore (85.2 për qind e gjithsej eksportit të shërbimeve) dhe shënuan rritjen më të lartë, ndërsa shërbimet e ndërtimit shënuan rënie”, është thënë në raportin e BQK-së.
Ndërkaq sa i përket importit të shërbimeve të transportit dhe shërbimeve pensionale dhe të sigurimit, ato kanë shënuar rënie, ndërsa shërbimet e udhëtimit dhe shërbimet e tjera të biznesit kanë shënuar rritje. “Llogaria e të ardhurave parësore u karakterizua me rritje prej 195.8 përqindësh. Bilanci i të ardhurave nga kompensimi i punonjësve shënoi rritje për 10.5 për qind, ndërsa bilanci i të ardhurave nga investimet u zvogëlua për 56.6 për qind. Në të njëjtën periudhë, bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje për 3.3 për qind, që i atribuohet nivelit më të lartë të remitencave.
Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, arritën vlerën prej 560.7 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 11.1 përqindësh”, është thënë në raportin e vlerësimit për tremujorin e tretë të BQK-së.
Albulena S. MAVRAJ