Bosnja nuk mund ta ndryshojë qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës
I sapozgjedhuri në presidencën tripalëshe të Bosnje Hercegovinës, Sefik Xhaferoviq nga Partia për Aksion Demokratik, ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, se pa pasur një konsensus të të gjithë anëtarëve të presidencës, Bosnja nuk mund të ndryshojë qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës.
“Bosnje dhe Hercegovina e ka qëndrimin zyrtar kur është në pyetje kjo çështje, i cili thotë se për çfarëdo vendimi është i nevojshëm konsensusi i të gjithë anëtarëve të Presidencës, dhe këtë konsensus në këtë moment nuk e kemi dhe kështu do të jetë derisa nuk ndryshojnë gjërat”, ka thënë Xhaferoviq.
Megjithatë, Xhaferoviq, kandidati që mori më së shumti vota në zgjedhjet e fundit në Bosnje, ka thënë se Kosova dhe Bosnja duhet të kenë nivelin e bashkëpunimit të paktën siç e ka sot Serbia me Kosovën.
“Unë mendoj se Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova duhet të ketë nivelin e bashkëpunimit, të paktën siç e ka sot Republika e Serbisë me Kosovën. Sepse ne me Kosovën jemi në nivel më të ulët bashkëpunimi se që është Serbia. Më shumë ka liri të lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe njerëzve mes Kosovës dhe Serbisë sesa mes Kosovës dhe Bosnjës, dhe kjo për shkak se nuk ekziston gatishmëria nga ana e politikanëve të Republikës Serbe që kjo situatë të përmirësohet. Unë mendoj se këto raporte duhet të ndërtohen mes Bosnjës dhe Kosovës në interes të të dyja vendeve, edhe përkundër qëndrimit politik kur është fjala për njohjen e Kosovës”, ka thënë Xhaferoviq për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë”.
Në zgjedhjet e 7 tetorit në Bosnje, përveç kandidatit boshnjak Sefik Xhaferoviq, një vend në presidencën tripalëshe e ka fituar edhe nacionalisti nga Republika Serbe Millorad Dodik, i cili njihet për raporte të afërta me Rusinë.
Anëtari i tretë është zgjedhur social-demokrati Zheljko Komshiq, që ka shërbyer dy mandate në presidencë.