Bosnja përkujton 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës
Bosnja dhe Hercegovina po përkujton sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, masakrës më e tmerrshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë u varrosën të dielën në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Viktima më e re që u varros, ishte Azmir Osmanoviq, i cili kishte vetëm 16 vjeç kur u vra nga forcat serbe. Eshtrat e tij ishin gjetur në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.
Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur. Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.
Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, që të parandalojë mohimin e gjenocidit në Bosnje, duke miratuar ligjin mbi ndalimin e mohimit.
Masakra e Srebrenicës nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid. Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiq.
Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Në tekstin e miratuar thuhet se Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë. Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.