Bosnja thotë se do t’i hetojë pretendimet se Radoiçiqi bleu armë në Tuzlla

03 tetor 2023 | 21:27

Administrata Federale e Policisë në Bosnjë dhe Hercegovinë njoftoi më 3 tetor se do t’i hetojë pretendimet se një nga liderët e serbëve të Kosovës, Millan Radoiçiq, ble armë, municion dhe mjete shpërthyese të fuqishme dhe shkatërruese, të cilat kanë përfunduar në territorin e Kosovës.

Administrata Federale e Policisë tha për REL-in se do të “ndërmarrë aktivitete në lidhje me verifikimin e pretendimeve se Millan Radoiçiq ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla nga janari 2023 deri më 24 shtator. Në mëngjes do të kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të na japin informacionin në dispozicion”.

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.

E kontaktuar nga REL-i, edhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.

Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Më 29 shtator, Radoiçiq – i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krim të organizuar ndërkombëtar – mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator se autoritetet përgjegjëse të Kosovës, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë në…