Bosnjëzimi me qeverinë e Vetëvendosjes as nuk vjen në shprehje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se nuk do të lejojnë bosnjëzimin në Kosovë përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se një gjë e tillë me qeverinë e Vetëvendosjes as që vije në shprehje.
“Në qeverisjen Vetëvendosje bosnjëzimi nuk do të lejohet asnjëherë. Ne e kemi të qartë se çfarë synon Serbia, dhe po angazhohemi qoftë në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm të mbyllim të gjitha shtigjet që do ta qonin Serbinë drejt qëllimit të saj. Por një gjë mund ta them, bosnjëzimi me qeverinë e Vetëvendosjes as nuk vjen në shprehje, ajo nuk do të ndodhë”, ka thënë Rrustemi në Tëvë 1.
Ai ka thënë se vetmenaxhimi sipas pikës së 7 të marrëveshjes që ndërlidhet me pikën 10 të marrëveshjeve të kaluara, mund të shërbejë si mekanizëm për komunitetin serbë për t’i realizuar qëllimet e tyre, por gjithnjë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur se me këtë a mund të cenohet karakteri unitar i Kosovës, pas në të jetojnë edhe komunitete tjera, ai u shpreh se një gjë e tillë nuk do të lejohet.
Rrustemi ka thënë se nuk ka pranim të draftstatutit pa nënshkrim të marrëveshjeve të dakorduara në Ohër dhe Bruksel.
Draftstatuti i propozuar nga BE nga opozita është cilësuar si dëmshëm për Kosovën.
Kryeministri Kurti këtë draft e kishte vlerësuar si më të avancuar por ka thënë se fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.