Bostoni shpallet kampion në Lindje
Ekipi i Boston Celtics shpallet kampion në Konferencën e Lindjes në NBA, pas fitores me rezultat 105-102 ndaj Indianas në finalen e katërt të “play-off”-it.
Një kosh i Derrick White 46 sekonda nga fundi i kohës së rregullt i dha suksesin Bostonit, që fitoi 4-0 me ndeshje. Sfida e fundit u komandua nga Indiana në shumicën e kohës, që kërkonte fitoren para publikut të saj. Nembhard realizoi 24 pikë e 10 asistime për vendasit, por që nuk mjaftuan për të fituar dhe rihapur serinë.
Për Bostonin u dalluan Jaylen Brown me 29 pikë e Jayson Tatum me 26 pikë e 13 rebound. Brown u shpall edhe MVP i finaleve në Konferencën e Lindjes, një vlerësim i merituar për të. Bostoni rikthehet në finalet për titull në NBA pas dy vitesh dhe pret të mësojë emrin e ekipit rival që do të vijë nga Konferenca e Perëndimit, ku Dallasi udhëheq 3-0 ndaj Minnesotas.
Më 6 qershor do të luhet finalja e parë “play-off”, në fushën e Bostonit, që ka rezultatin më të mirë në sezonin e rregullt.