Bota e dënon ashpër sulmin në Nice
Udhëheqës nga mbarë bota kanë shprehur ngushëllime dhe janë solidarizuar me popullin e Francës pas sulmit ekstremist në Nice, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Përderisa qeveria e ngriti alarmin për terror në nivelin më të lartë në nivel kombëtar dhe ushtarët u angazhuan për mbrojtjen e shkollave dhe kishave, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se është i tmerruar që dëgjoi për këtë sulm barbar.
“Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre dhe Mbretëria e Bashkuar qëndron fuqishëm me Francën kundër terrorit dhe mostolerancës”, tha ai.
Përkrahje për Francës shprehu edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ai tha: “Amerika qëndron me aleatin tonë më të vjetër në këtë luftë”. Mbështetje për fuqinë evropiane shprehu edhe kryeministri i Australisë, Scott Morrison.
Papa Françesku tha se e ka vajtuar sulmin që, siç u shpreh ai, mbolli vdekje në një vend të lutjes dhe shpëtimit, shkruan “The Guardian”, transmeton “Express”.
Sulmin e dënuan edhe udhëheqës të ndryshëm nga vendet me shumicë myslimane, të cilët e theksuan dallimin e qartë mes fesë së tyre dhe akteve të dhunshme, me të cilat po pretendohet se mbrohet Islami.
Në mesin e vendeve të para të këtij grupi që e dënuan sulmin ishte Turqia. “Ne e dënojmë fuqishëm sulmin e kryer sot (të enjten) brenda kishës Notre Dame në Nice”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
Sulmin e dënoi edhe Egjipti. “Si qeveri dhe si popull, qëndrojmë me Francën në luftimin e këtij incidenti të urryer”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të vendit me mbi 102 milionë banorë.