Bota e mrekullueshme, e tmerrshme dhe çmendurake e filmave të Krishtlindjes
Nga: Lucinda Smyth / The Daily Telegraph
Gjatë tre muajve të fundit, kam parë 100 filma të Krishtlindjes. Siç thuhet në filmin Elf, kam kaluar “nëpër shtatë shtresat e pyllit të kallamsheqerit dhe në detin e vorbullave të xhelatinave” dhe dola me qafë të bllokuar dhe sy të lodhur. Është si të shohësh, pandërprerë, për gjashtë ditë radhë. Kam kërkuar pa pushim skenaristët, producentët dhe regjisorët e filmave të Krishtlindjes, shumica prej të cilëve nuk donin të flisnin për filmat që kishin bërë 30 vjet më parë.
Pse e shtyva veten të kaloj nëpër këtë? Filmat e Krishtlindjes janë një nga zhanret më të nënvlerësuar nga kritika. Ritualet e shikimit të tyre janë po aq të rëndësishme për festën, sa tërheqja e qeseve të befasive dhe këngët tradicionale të Krishtlindjes. Këtë vit, mijëra familje do të ulen dhe do të rishikojnë filmat e tyre të preferuar. Por, të paktën në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA, këta klasikë priren të përfshijnë një standard të ngushtë. Mendova se kishte më shumë për të zbuluar rreth këtij zhanri. Si arritën filmat e Krishtlindjes të bëhen ato që janë sot?
Filmat e Krishtlindjes janë të dashur dhe të përçmuar, legjendarë dhe të harrueshëm. Por, shumë pak prej tyre konsiderohen me të vërtetë të mirë. Vetëm një film i Krishtlindjes shfaqet rregullisht në listat e 100 filmave më të mirë të të gjitha kohërave: It’s A Wonderful Life i vitit 1947. Megjithatë, këta filma vazhdojnë të prodhohen – më shumë se 100 çdo vit. Oferta e vitit 2024 përfshin filmin Hot Frosty të Netflix-it, ku një grua e ve përjeton një histori dashurie me një dordolec simpatik, dhe Red One të Amazon-it, ku Dwayne “The Rock” Johnson shpëton Babadimrin e rrëmbyer. Nga këto përshkrime, mund të duket sikur kemi devijuar shumë nga origjina e zhanrit. Por, në fakt, ato nuk kanë ndryshuar shumë.
Nëse mendimi juaj i parë, kur ju kërkohet të përmendni filmin e parë të Krishtlindjes, është diçka si Holiday Inn (1942) ose Meet Me in St. Louis (1944), nuk jeni të saktë. Filmi i parë i Krishtlindjes doli në vitin 1898, një vit para se Marie Curie të zbulonte poloniumin. Santa Claus, me regji të magjistarit britanik të kthyer në regjisor, George Albert Smith, është një minutë e gjysmë i gjatë dhe tregon dy fëmijë që varin çorapet pranë oxhakut. Babadimri zbret nga oxhaku, duke mbajtur një pemë Krishtlindjeje, fut dhuratat në çorape dhe zhduket. Fund.
Santa Claus ishte film pionier në disa aspekte: ishte shembulli i parë i një skene me xhirim paralel, me Babadimrin që shfaqet në çatinë e shtëpisë në një cep të ndriçuar, ndërsa fëmijët po flinin në shtrat. Bryony Dixon, kurator i filmave pa zë në BFI (Instituti Britanik i Filmit), thotë se Smithi ishte pjesë e një grupi kineastësh viktorianë që eksperimentonin me përmbajtjen e Krishtlindjes. Vitin pasues, ndërsa shumë realizime të tjera, Georges Méliès krijoi montazhin e tij të çuditshëm me dëborë, A Christmas Dream (1900), dhe James Williamson realizoi tragjedinë sentimentale The Little Match Seller (1902). Këta filma u konceptuan që në fillim si “argëtim komercial”. Ato shfaqeshin në panaire dhe teatro me kapacitet deri në 700 njerëz, kryesisht të synuara për fëmijët.
Duke pasur parasysh reputacionin e viktorianëve për devotshmëri, mund të duket befasuese që asnjë nga këta filma nuk prek temën e fesë. Mark Connelly, redaktori i librit Christmas at the Movies dhe profesor emeritus në Universitetin e Kentit, thotë se kjo ishte pjesërisht për shkak të censurës. Në fund të shekullit XIX, filmat mund të ndaloheshin si “fyese ose blasfemuese”, kështu që kineastët preferuan të përdornin realizmin magjik dhe imazhet pagane për të tërhequr sa më shumë audienca.
Filmat më të njohur të periudhës pa zë janë adaptimet e poemës së Clement Clarke Mooreit, Twas The Night Before Christmas (1825), dhe veprave të Charles Dickensit. Para vitit 1951, u prodhuan pesëmbëdhjetë versione të A Christmas Carol. Të afërmit e vetë Dickensit morën pjesë në një shfaqje private të versionit të vitit 1910, realizuar nga kompania e Thomas Edisonit. Çfarë mendonin ata krahasuar me versionin e vitit 1901, Scrooge, ku Shpirti i Dhuratës së Krishtlindjes shfaqet i mbuluar me një çarçaf, mbetet përjetësisht një mister. Sot ekzistojnë mbi 100 versione të A Christmas Carol, duke përfshirë interpretimet e viteve ‘80 dhe ’90 të shekullit XX, si Scrooged dhe The Muppet Christmas Carol.
Ka një cilësi që përmbyset në të gjithë filmat e Krishtlindjes. Si zhanër, tentojnë të mishërojnë atë që Mikhail Bakhtin e quajti “karnivaleskja”: rendet shoqërore përmbysen, dhe personazhet ekscentrikë fitojnë liri të plotë. Shumë prej tyre paraqesin një prind të pakujdesshëm ose që mungon (zakonisht një baba) që mëson të shohë botën nga perspektiva e një fëmije. Filmi i vitit 1909, A Trap For Santa Claus, me regji të D.W. Griffith, flet për dy fëmijë që përpiqen të zënë në kurth Babadimrin, pasi babai i tyre alkoolik largohet nga shtëpia. Kjo ngjan shumë me filmin The Christmas Chronicles (2018), ku një vëlla dhe motër, duke vuajtur për babanë e tyre të vdekur, kapin Babadimrin (Kurt Russell) dhe e lidhin me drita të Krishtlindjes. Në të dy filmat, Babadimri bëhet zëvendësues për prindin e munguar.
Në melodramën Christmas Eve të Alfonse Frenguellit (1915), një fëmijë ndalon babanë e sapopushuar nga puna që të qëllojë ish-shefin e tij dhe ndërkohë e bind shefin ta rimarrë atë në punë. Kjo zgjidhje absurde bëhet e mundur vetëm nga koncepti i “Frymës së Krishtlindjes”, duke paraprirë dhjetëra klasikë të ardhshëm, përfshirë Home Alone dhe Love Actually. Filmi i Edisonit, Adventure of the Wrong Santa Claus (1914), është për një hajdut që vjedh dhurata i veshur si Babadimër dhe, njësoj si The Grinch (2000), kapet nga një detektiv amator. Edhe filmat më të çuditshëm të hershëm duken shumë të njohur: animacioni The Insects’ Christmas (1913), ku insektet e vdekura ringjallen dhe kalojnë kohë me një Babadimër prej balte, më kujton filmin e Tim Burtonit, The Nightmare Before Christmas.
Deri në ditën e 40-të të maratonës sime të filmave të Krishtlindjes, realiteti kishte filluar të shkiste. Ishte dita e Nata e Shtrigave dhe unë po qëndroja në një korridor supermarketi duke mërmëritur këngën Jingle Bells. Për më shumë se një muaj, kisha kaluar gjithë kohën time të lirë duke parë filma të Krishtlindjes. Në takimet shoqërore, bëja psikanalizë për fëmijën në The Snowman dhe përpiqesha të nisja diskutimet me miqtë për “kuptimin e haresë së Krishtlindjes”. Para se partneri im të shkonte në punë, i premtoja se nuk do të shikoja më filma. Kur kthehej, më gjente duke fshirë fshehurazi lotët pas një seance të shpejtë të shikimit në celular të filmit klasik të paraluftës, Remember the Night, ndërsa unë isha në vaskë. Më 31 tetor, ishte e qartë që po përballesha me një kolaps emocional të shkaktuar nga Krishtlindja.
Remember the Night është një klasik i periudhës së Artë të viteve ‘40 të shekullit XX 0 epoka kur zhanri i filmave të Krishtlindjes vërtet mori hov dhe Holivudi filloi të investonte para në formate të ndryshme: romanca si A Shop Around The Corner, vesterni si Three Godfathers i John Fordit dhe, sigurisht, mjuzikli si Holiday Inn me Fred Astairein dhe Bing Crosbyin, që përfshin këngën më të shitur të të gjitha kohërave, White Christmas. Perlat e kurorës së kësaj periudhe janë dy drama të vitit 1947: Miracle on 34th Street dhe It’s A Wonderful Life. Të dyja janë ripunime të A Christmas Carol, të cilat kulmojnë me mrekullitë e tyre të Krishtlindjes, të përshkuara nga tragjedia: fëmijë të vetmuar, probleme financiare, ide të vetëvrasjes dhe perspektiva apokaliptike e institucionalizimit të Babadimrit.
Është normale që filmat më të mirë festivë të përcaktohen nga trishtimi. Koha më e mrekullueshme e vitit shpesh shoqërohet me stres, konflikte familjare dhe vështirësi financiare. Mark Connelly përshkruan se si filmat e Krishtlindjes na ndihmojnë jo vetëm të përballemi me depresionin sezonal, por edhe me “natyrën e shqetësimeve shoqërore bashkëkohore ose natyrën e kulturës bashkëkohore”. Në Amerikën e pasluftës së fundviteve ’40 dhe ’50 të shekullit XX, temat e zakonshme përfshinin alkoolizmin, krizat psikologjike dhe burrat ose etërit e vdekur. Në animacionin e vitit 1965, A Charlie Brown Christmas, Charlie lufton për të gjetur kuptimin e festës mes një vetmie ekzistenciale: “Më pëlqen të marr dhurata dhe të dërgoj kartolina të Krishtlindjes”, thotë ai, “por, përsëri nuk jam i lumtur”. Sot, shohim një numër të madh historish me dashuri të humbura, shefa mizorë, prindër të vdekur dhe punëtorë të rraskapitur (shih Love Actually të vitit 2003, Klaus të vitit 2019 dhe Our Little Secret të vitit 2024 për të gjitha këto).
It’s A Wonderful Life nuk ishte një klasik i menjëhershëm. U rendit në vendin e 26-të në listën e filmave me të ardhurat më të larta të vitit 1947. Vetëm në vitet ’70 të shekullit XX, kur filmi humbi të drejtën e autorit dhe filloi të transmetohej në televizion, miliona amerikanë ndryshuan mendim. Duket se shumicës së filmave të Krishtlindjes u duhen dekada për t’u pjekur dhe për t’u bërë pjesë e strukturës kulturore.
Me të qeshurën e tij të fuqishme, flokët e bardhë dhe koleksionin e tij të lodrave, regjisori Brian Levant nuk është shumë larg nga identifikimi me Babadimrin. Flas me Levantin në Zoom në një pasdite me diell të tetorit. Pas tij është varur një poster i Arnold Schwarzeneggerit si Turbo-Man, heroi i aksionit nga filmi Jingle All The Way, regjinë e të cilit e bëri në vitin 1996. Ai kthen kamerën drejt një kukulle një metër të gjatë të Turbo-Man-it në qoshe. “Pas premierës së filmit, nuk doja as ta shikoja atë lodër”, thotë ai. “Qëndroi në një kuti në garazhin tim për gati 20 vjet”.
Në Jingle All The Way, Schwarzenegger luan rolin e një babai që vetëm punon, i cili përpiqet të fitojë përsëri dashurinë e djalit të tij duke i blerë atij lodrën Turbo-Man për Krishtlindje. Historia kishte të gjitha përbërësit e një hiti: një emër të madh, një premisë çmendurake aksioni dhe një buxhet prej 60 milionë dollarësh. Megjithatë, nuk i përmbushi pritshmëritë: pavarësisht performancës solide komerciale, tërhoqi kritika të tmerrshme dhe, më vonë, beteja ligjore. Levanti e përshkruan atë si “një dështim të mjerueshëm” dhe refuzoi të bënte një tjetër film të Krishtlindjes për 30 vjet. “E refuzova Elf!-in” – qesh ai. “Po, por ndoshta gabova”.
Me kalimin e viteve, Jingle All The Way u fut gradualisht në ndërgjegjen publike. Nga mesi i dekadës së parë të shekullit XX, u bë klasik dhe të rinjtë filluan t’i thoshin Brian Levantit se ishte filmi i tyre i preferuar i Krishtlindjes. Gradualisht, mendimi i Levantit për filmin ndryshoi dhe ai e shpëtoi Turbo-Man-in nga garazhi. E pyes se pse filmi rezonon sot. Kritikja Sarah Marshall e ka quajtur atë një “koment të parashikueshëm mbi konsumerizmin e festave” – a është ai dakord? “Mendoj se kjo është ajo që kritikët pëlqejnë të thonë, apo jo?” – thotë ai. “Unë thjesht përpiqesha të krijoja një botë ku historia do të dukej e besueshme”.
Në Krishtlindje, opinionet kritike zakonisht nuk kanë shumë ndikim. Shumë filma që tani i konsiderojmë klasikë, nuk janë pritur mirë fillimisht. The Wiz (1978), një version muzikor i The Wizard of Oz me një kast me njerëz me ngjyrë, përfshirë Michael Jacksonin dhe Diana Rossin, u kritikua në mënyrë kontroverse pas premierës. Filmi Silent Night, Deadly Night (1984) u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të prindërve që kundërshtonin idenë e një Babadimri vrastar – sot është një favorit i “nihilistëve” dhe një nga filmat e preferuar të Quentin Tarantinos, i cili e quan “i vetmi film i festave që ia vlen të diskutohet.”
Edhe klasikët e viteve 2000, si Love Actually dhe The Holiday, nuk u pritën ngrohtësisht në fillim. Nancy Meyers, regjisorja e The Holiday, më tha se kurrë nuk e kishte menduar atë si një film Krishtlindjeje: “Është kthyer në një të tillë, gjë që më kënaq. Por, ndërsa po e shkruaja dhe realizoja, nuk më shkoi në mendje”. Në mënyrë të famshme, Die Hard u publikua në korrik të vitit 1988 dhe nuk ishte menduar kurrë për t’u parë në dhjetor.
Nga fundi i nëntorit, dritat festive ishin ndezur në Rrugën e Oksfordit dhe unë ndihesha e trullosur dhe e sëmurë. Kur mbaruan titrat e filmit tim të 100-të të Krishtlindjes, Gremlins (1984), nuk mund ta imagjinoja që do të shikoja një tjetër. Por, gjithashtu ndihesha çuditërisht e gëzuar duke pritur me padurim filmin tjetër. Më në fund, nxora disa ëmbëlsira të Natës së Shtrigave nga dollapi, tërhoqa perdet dhe ndeza A Nightmare on Elm Street. /Telegrafi/