Bota kërcënohet nga “konfrontimi bërthamor”
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se bota, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, përballet me “kërcënimin e konfrontimit bërthamor”.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë “presion maksimal” mbi Korenë e Veriut për të hequr dorë nga programi me armë bërthamore.
Guterres dhe Stoltenberg i bënë këto komente në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që është një tubim vjetor i udhëheqësve botërorë dhe zyrtarëve të lartë.
“Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ne përballemi me kërcënim bërthamor, kërcënim nga konflikti bërthamor”, ka thënë Guterresi.
“Po i referohem zhvillimit të armëve bërthamore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi nga Republika Demokratike Popullore e Koresë. Ato janë në kundërshtim të plotë me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare dhe shkelje e qartë e disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar Guterresi.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka refuzuar të ndalë zhvillimin e raketave bërthamore, pavarësisht sanksioneve që i ka vënë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.