Bota me sytë nga Ukraina, sot pritet zgjidhja
Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 140-të duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.
Një ndër çështjet që vazhdon të shqetësojë më shumë vendet në botë është bllokimi i grurit ukrainas. Ukraina ka akuzuar prej kohësh Rusinë se ka bllokuar eksportin e grurit duke shkaktuar uri në shumë vende të botës.
-Dërgesat e grurit përmes lumit Danub janë shtuar me rihapjen e kanalit Bystre. Numri i anijeve të huaja që arrijnë në portet e Ukrainës për të ndihmuar me eksportet e grurit është dyfishuar në 16 brenda 24 orëve të fundit, sipas zëvendësministrit të infrastrukturës së Ukrainës, Yuriy Vaskov.
Ndërkohë, delegacionet ushtarake nga Ukraina, Rusia dhe Turqia do të takohen me zyrtarë të OKB-së në Stamboll sot për të diskutuar një marrëveshje të mundshme për të rifilluar eksportet e sigurta të grurit të Ukrainës nga porti kryesor i Detit të Zi, Odesa, teksa kriza globale e ushqimit vijon të përkeqësohet.