Bota po vjen duke u fisnikëruar
Bisedë me Ali Aliun (1)
(Prishtinë, 19.12.1999, në shtëpinë e Ali Aliut, ose Ali Kelmendit. Ai ka hequr mbiemrin Kelmendi.)
Baca Ali!
Këtu, me ne, është edhe Avni Lama! Po fillojmë bisedën.
Na trego, së pari, kur ke lindur, emrin e babës, të nënës, sa vëllezër ke, sa motra? Na trego për krejt familjen tënde…
– Jam i lindur më 22 korrik të vitit 1924. Nëna quhej Emine. Jemi pesë vëllezër e një motër. Motra ka vdekur. Unë jam vëllai i madh, mandej janë vëllezërit e tjerë, Fevziu, Fehmiu, Nuredini dhe Limani. I kam gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Emrat e djemve janë: Fatos, Shkëlzen, Arban dhe Liburn, ndërsa emrat e vajzave Dritë dhe Suliote.
Unë kam lindur në Preshevë. Nëna ishte nga fshati Rahovicë. Ajo është bija e Arif Matit, i cili në moshën 80-vjeçare ka qenë luftëtar aktiv në vitin 1944, në mbrojtje të trojeve shqiptare, me armë në dorë. Babai ka qenë intelektual i Luginës së Preshevës. Ka qenë gjyqtar dhe avokat në kohën e Turqisë. Në atë pozitë është emëruar nga Kajmekami shqiptar, i cili e ka dërguar këtu në Prishtinë për t’i kryer provimet, e pastaj e ka transferuar atje ku ka pasur nevojë. Gjyqi ka qenë këtu në Prishtinë, ndërsa ekzekutivi në Shkup. Provimin për gjykatës e ka dhënë para Nexhip Dragës, i cili ka qenë një jurist patriot shqiptar dhe me të ka pasur miqësi deri në fund të jetës. Njëherë ka punuar në kajmekamllëk (njësi administrative në kohën osmane, v.j.) e më pastaj ka marrë pjesë edhe në Lëvizjen Kombëtare antiosmane. Të burgosurit shqiptarë, sidomos malësorët, i ka shpëtuar shumë herë nga dënimet. Turqia kishte pasur ligje dhe gjyqe, formalisht demokratike. Baba të gjitha ato vendime të policisë i ka anuluar dhe nuk ka lejuar që këta malësorë të dalin në gjyq. Ata të cilëve u ka shkuar lënda si kaçak në Prishtinë, i kanë dënuar me varje! Ai, duke qenë gjykatës nga Presheva, nuk ka dorëzuar asnjë lëndë gjyqësore të ndonjë kaçaku të rrethinës së Preshevës në Prishtinë. Kështu i ka dalë zëri i mirë dhe ka gëzuar respekt nga njerëzit.
Bimbashi i asaj kohe nuk ka qenë i kënaqur me punën e tij dhe është përpjekur t’ia imponojë vendimet e gjyqit. Mbasi gjyqi këtu nuk ka mundur t’i dënojë për vepra penale, ai ka dashur të gjykohen në Prishtinë. Atëherë kishte qenë një prizrenas, njëfarë yzbashi, i familjes Krena të Prizrenit. Ai i thotë babës, nëse nuk e likuidojmë bimbashin, ne të dy do ta paguajmë me jetë veprimtarinë tonë. Ai yzbashi e ka nxjerrë bimbashin në pritë te mulliri dhe e kanë vrarë. Kaçakët ia kanë marrë kalin dhe armët dhe kanë ikur në mal. Spiunët e Preshevës atëherë kanë thanë që baba, Ymer Efendia, me anë të malësorëve e ka kryer këtë vepër dhe ai është fajtor. E kanë burgosur nja tre muaj në burgun që ka qenë te Kalaja e Shkupit. Mbas tre muajsh, me ryshfet, e kanë liruar nga burgu. Në vitin 1912, kur ka hyrë Idriz Seferi në Preshevë, babanë e kanë caktuar delegat për Shkup. Babën Ymer e ka emëruar përfaqësues Idriz Seferi. Baba Ymer ka shkuar aty pasi ka pasur shkollë dhe e ka prezantuar Preshevën. Edhe kur ka hyrë në këtë anën tonë Serbia, baba ka qenë i qetë. Serbia i ka ofruar poste, por ai nuk i ka pranuar. Është marrë kryesisht me bujqësi deri në fund të jetës.
Unë shkollën fillore e kam kryer në Preshevë në gjuhën serbe. Mësimet i kam vazhduar në Medresenë e Madhe në Shkup. Aty i kam kryer katër klasa. Ajo Medrese ka qenë si gjimnaz. Në të kemi pasur edhe lëndë mësimore shkencore.
A mund të na thoni ndonjë emër të nxënësve shqiptarë, që ishin në klasë me ju dhe emrat e profesorëve që ju kanë dhënë mësim në medrese?
– Kanë qenë: Idriz Ajeti, Beqir Bajrami, Ibrahim Kelmendi, Shaip Mustafa. Ka pasur nxënës edhe nga trevat e tjera. Në gjeneratë i kam pasur Rexhep Bajren, Gani Ramadanin, Sali Lishin. Ka pasur nxënës edhe nga Rozhaja. Fejzullah Cana ka qenë në klasë me mua. Kanë qenë 30-40 veta.
Prej profesorëve kush iu ka dhënë mësim?
– Shumica e mësimdhënësve kanë qenë boshnjakë dhe serbë. Taip Boksiq na ka dhënë mësim. Ai na ka trajtuar njësoj, të barabartë. Abdullah Mahmutagiq nuk ka qenë antishqiptar, por nuk i ka dashur shqiptarët. Profesoreshë ka qenë Hanifa Rebac, gruaja e Hasan Rebacit, një ish-kolonel në pension. Ajo ishte grua poliglote. Na ka dhënë gjuhë frënge, gjuhë gjermane, gjuhë latine. Ka qenë doktor shkence. Edhe si njeri ka qenë në nivel shumë të lartë. Na ka dashur pa dallim. Pas luftës ka dhënë mësim në Beograd. E kam takuar edhe një herë tjetër në Beograd.
Ahmet Mehmetbashiq ka qenë plak. Nuk ka pasur ngarkesa kombëtare. Një shqiptar na e ka dhënë gjuhën turke. Ai ishte plak, por ka qenë njeri dhe burrë i mirë. Megjithëse në moshën 18-vjeçare ishim thuaja të pjekur, kur u bë luftë më i afërt me ne ishte përherë Kadri Halimi. Ai ishte dalluar edhe si nxënës. U dallua edhe një Omer Çerkezi.
Rryma komuniste, kur filloi të shquhej aty?
– Puna e komunizmit asokohe ka pasur karakter kombëtar. Internacionalizmi proletar ka garantuar vetëvendosjen. Amerika atëherë nuk është interesuar për Evropën. Evropa ka qenë pro serbe. Profesorët kanë dashur që ne ta duam mbretërinë serbe. Kur është kurorëzuar Mbreti Aleksandër, edhe ne nxënësve na kanë dërguar në xhami, që të luteshim për të dhe që t’ia bënim aminin. Në medrese është kultivuar një dashuri e madhe mes njerëzve. Krejt synimi ishte për ta penguar ndikimin rus. Ne jemi formuar me edukatë të mirë, për të mos urryer askënd. Kemi reaguar vetëm nëse dikush ndaj nesh është sjellë në mënyrë antinjerëzore. Asnjë shqiptar nuk ka qenë shkaktar i ndonjë konflikti me iniciativë të tij.
Një rol të madh për të na tërhequr në lëvizjen komuniste e ka luajtur Omer Çerkezi. Ky e ka njohur mirë historinë e shqiptarëve. Ishte çerkez, por nënën e ka pasur shqiptare. Kishte qenë njeri i ngritur. Ai thoshte hapur se vetëm ne shqiptarët nuk vrasim fëmijë e gra. Edhe neve na takon ta mbajmë flamurin e vëllazërimit mes popujve. Shqiptarët asokohe ishin shumë të varfër. Dilnim nga Medreseja në pazar dhe i shihnim me sy sa të varfër ishin shqiptarët. Ata dalloheshin edhe në treg. Gjithmonë kemi synuar një sistem të drejtë, që zhduk varfërinë. Ndërkohë, kur italianët e pushtuan Shqipërinë, nisi të zgjerohej dhe të dilte me të madhe në skenë antifashizmi. Në këtë situatë erdhi e u përhap ideja komuniste. Nuk ishte fjala që u bëmë komunistë, por formuan njëfarë fronti rinor kundër fashizmit. Të vjetrit kanë qenë më shumë nacionalistë. Ndërkohë doli e u shpërnda një vjershë e Ramiz Sadikut. I mbaj mend disa vargje akoma:
“Oj Shypnia e fashizueme idealet ku i ke lonë,
për lirinë e shumë madhnueme,
gjak do t’derdhim përgjithmonë”!
Ka pasur shumë nxënës gjakovarë në medrese. Ata e kishin pru në letër një këngë për Bajram Currin. Ne aty u bëmë bashkë në mënyrë spontane, jo të organizuar. Ishim të parët që morëm pjesë në demonstratat kundër fashizmit.
Kur hynë forcat fashiste ne na lëshuan në shtëpi. Të them të drejtën, kur erdhi gjermani, populli e priti me admirim. Por, fill pas gjermanëve, hynë bullgarët dhe gëzimi u shndërrua në dëshpërim. Bullgarët filluan me atë terrorin e vet.
Rexhep Bajra, unë, Shaip Mustafa, ne të Preshevës, vendosëm të shkonim të vazhdonim shkollën në Prishtinë.
Ishin Zenel Salihu e Meto Bajraktari, studentë. Ata, me ndikimin e tyre, pasi bullgari kishte okupuar tokën shqiptare, na tërhoqën edhe ne që të fillonim të përkrahnim lëvizjen komuniste. Zenel Salihun e kam njohur edhe përpara. Ai ka qenë shok me Shaip Mustafën. Kanë qenë studentë me korrespondencë. Kanë ardhur shpeshherë në Preshevë. Një herë ka ardhur edhe në shpinë tonë. Ne, si erdhëm në Prishtinë, u vendosëm në një banesë. Kemi marrë edukatë për të mos i urryer popujt e tjerë. Në kohën e ish-Jugosllavisë nuk i kemi urryer serbët si serbë, por e kemi urryer regjimin shtypës serb. Sidomos na kishte goditur rëndë okupimi italian i Shqipërisë.
Mandej pasoi ardhja e bullgarëve në Preshevë. Ndërkohë kontaktuam edhe me profesorë, që kishin ardhur të jepnin mësim këtu. Ata ishin antifashistë të përbetuar. Një që na ka edukuar në frymën atdhetare ka qenë Mustafa Krajka nga Shqipëria, profesor i muzikës. Kështu, në vitin 1941, në muajin nëntor, pa u hapur shkollat, pa filluar mësimi (në dhjetor ka filluar mësimi në shkolla), u organizua një demonstratë kundër Italisë. Ajo demonstratë u bë në sallën e gjimnazit. E udhëhoqën Zenel Salihu, Meto Bjaraktari dhe Mustafa Krajka.
Mustafa e pati përgatitur një shfaqje muzikore, edhe Marigonën e luante një vajzë. Ky Xhemaledin Ahmeti, po ashtu një nxënës i Preshevës, e ka pasur për detyrë që, pasi të flasë Meto Bajraktari, në sallë ku ishin krejt paria shqiptare, priftërinj e hoxhallarë, tregtarë e qytetarë, atëherë kur të kryhej shfaqja, ky ta hiqte flamurin shqiptar me shkaba, me simbol fashist, e ta vendoste flamurin e Skënderbeut. Mua ma dhanë për detyrë që të shkoja në katin e fundit, në ballkon, ta hiqja flamurin fashist dhe të vendosja flamurin shqiptar. Ndërkohë unë jam kthyer në sallë, prej katit të epërm, dhe pasi ishte natë, kur u krye shfaqja, Xhemaledini e vendosi flamurin kombëtar para oficerit italian dhe aty u bë një tollovi. Meto dhe Zeneli ikën në atë rrëmujë. Ata shumë shpejt e kishin kaluar kufirin dhe kishin shkuar në Podujevë, pasi andej kishte pushtetin okupatori bullgar. Të nesërmen ne na arrestuan krejt çka ishim pjesëmarrës të asaj shfaqjeje. Na dërguan drejt e në burg. Mustafa Krajkën e burgosën dhe e internuan menjëherë. Mbasi ishim të rinj, intervenoi kryetari i komunës, Hysen Prishtina, dhe na liruan. Tash duhej të shkonim tek ai kryebashkiaku. U bëmë rresht dhe i pari ishte Xhemaledini. Ai ishte më i madhi, unë i fundit. Baba më ka pas thënë mos u përziej në politikë. Shko e kryeje shkollën, por mos i prano simbolet e huaja.
Tash, kur të hynim te kryetari, duhej të ngrinim dorën me përshëndetje fashiste. Çka më ka thënë baba unë i kam besuar dhe e kam dëgjuar. Aty mbeta në kurth. Kur më tha ai kryetari ngrije dorën kështu, unë e ngrita, por ndryshe nga ai. E aty u përplasa. Dikur më tha se nuk po dija asgjë. Ai po na thotë se prej tash e keni nga një dollar në javë, që bënin 55 lekë. Me një lek mund të haje mëngjes, sepse ato para kanë pasur vlerë të madhe. Ende vlenin edhe dinarët e Jugosllavisë. Na tha se do të bëjmë rini të mirë e të dëgjueshme. Kryesore, na pranuan në shkollë e na veshën mirë. Erdhi Vasil Andoni dhe neve na e dha dhomën më të mirë në internat, e disa u bënë xhelozë për këtë. Dikush u ankua edhe nga Presheva, por për ne u dha arsyetimi se këta janë krejt nga Presheva. Kështu, mbetëm aty në internat.
Në internat vinin njerëz me ide komuniste dhe na thoshin të bëheshim anëtarë të lëvizjes komuniste, por unë, pasi isha në lëvizjen antifashiste, u thashë aty dua të mbetem. Ashtu kaloi viti shkollor 1941/42.
Në vitin e parë tregova sukses. Edhe Vasil Andoni përgatiti libra shqip për mua, që t’i dërgoja unë në Preshevë. Do abetare, goxha shumë. Erdhi Ali Xhelili prej Ilincës. E kishte dërguar baba prej Preshevës për t’i marrë librat. I dërgojmë deri në Gjilan. Aty i ngarkojmë në kalë dhe i kalojmë ilegalisht në Preshevë. Edhe tash shkruan, kush i solli ata librat e parë, që janë shpërndarë në Preshevë. Unë shkova në Preshevë dhe u ktheva. Të gjithë këta që patën mbetur në Prishtinë, i kishin dërguar në Tiranë, në shkollën bujqësore amerikane në Golem. Shkova edhe unë.
Kur mbërrita në Tiranë e pashë të varur Shyqyri Ishmin.
Kur e pashë vetë, tek unë u zgjua një revoltë e madhe shpirtërore. E kishin lënë varur për shumë ditë, për ta parë të tjerët dhe për t’i frikësuar njerëzit. Ai ka qenë 20 vjeç.
Shkova në Ministrinë e Arsimit. Ministria më caktoi të shkoja në shkollën bujqësore amerikane. Kur shkova aty, pa kaluar shumë kohë, u organizua një aksion i rinisë shqiptare antifashiste, prej Kukësit deri në Vlorë. U prenë shumë shtylla telefonike. Neve na patën dhanë detyrë t’i bënim do copa dërrasash, të ngulnim gozhda në to dhe t’i vendosnim në asfalt për t’ua shpërthyer gomat autoblindave. Ashtu kemi shpërthyer shumë goma të blindave. Ato dërrasat dhe gozhdët i bëmë të zeza, me zift, dhe kur i vendosem në rrugë, natën nuk dalloheshin lehtë. Një grup ka marrë pjesë në prerjen e shtyllave të telefonit. Prej nesh ka qenë vetëm një Hamit Thaçi. Ne, të tjerët, kemi bërë rojë, ose kemi vendosur gozhdët me dërrasa në shtresën e asfaltit. Ky ka qenë i vetmi aksion në vitin 1942 në Evropë. Kjo pati jehonë të madhe. Italianët, natyrisht, u shqetësuan. Kam qenë pak i lazdruar. Kur shkova te drejtuesi për punë të brendshme, që kishte pasur mbiemrin Thaçi, ai po më thotë: Pse shkoni të prisni shtylla vetëm me kosovarë? Edhe unë jam kosovar, po kështu nuk duhet! Këta është dashur të marrin pjesë me kohë në mënyrë që ju të përgatiteni e të ktheheni me kohë në Kosovë.
Taktikë e moçme a?
– Janë mësuar kështu moti. Të bëni aksion këtu e të ikni me kohë atje në Kosovë! Na kishin nënçmuar ne më përpara. Pasi e bëmë aksionin me sukses, po na thërrasin në një tubim.
Vajza e drejtorit të shkollës nënën e kishte pasur austriake, ndërsa babën nga familja Bibaj. Ajo vajza kish qenë anëtare e rinisë komuniste të qarkut. E ka pasur emrin Dritë Biba. Aty, në atë mbledhje, njëri po flet për politikë të jashtme, se çka po ndodh. Një tjetër foli për politikën e brendshme. Ajo vajzë ishte shumë e ngritur dhe nga një familje e ngritur, saqë na befasoi të gjithëve. Kur u krye mbledhja, po thotë: Vdekje fashizmit! Këta tanët u befasuan! Unë bërtita: Liri popullit! E ngrita grushtin! Kur po më shikojnë të gjithë, po thonë: këqyre këtë që u bë komunist! Pak ra njëfarë qetësie. Pastaj ajo tha: Ju jeni anëtarë të rinisë komuniste. Kështu, prej asaj dite të vitit 1942 jam bërë anëtar i rinisë komuniste. Këndej në Kosovë nuk pranoja të hyja, këndej isha vetëm si antifashist.
Aty, në Shqipëri, a kishte grupe komuniste?
– Po atje ishte partia e organizuar dhe e ditur në Korçë, dhe ajo shtrihej në krejt vendin. Ne që kishim shkuar në shkollë, tash po bëheshim anëtarë të rinisë komuniste. Askush nuk kishte ndonjë funksion, por mendonim vetëm si t’i kryenim detyrat për çlirimin e atdheut.
A ishte Qemal Stafa?
– Jo! Ishte vrarë më herët! Pastaj u kthyem nga Shqipëria. Filloi viti shkollor.
Tash ishit brumosur me ide komuniste?
– U përgatitem atje për të luftuar për bashkim kombëtar. Ky ishte parimi dhe për këtë kishim hyrë ne kosovarët. Lufta do të na sjellë këtë të drejtë. Në vitin 1942 këtu më zgjodhën anëtar të organizatës antifashiste, por edhe anëtar të aktivit komunist.
Ishin strukturuar grupet komuniste këtu?
– Po! Këtu në shkollë, aktivin e ka udhëhequr së pari Ramadan Vraniqi, mbasandaj e ka udhëhequr Hamit Thaçi. Më vonë e ka udhëhequr Fran Berisha.
Në Kosovë, kush ishin drejtues të zgjedhur partiakë?
A dihej kush po udhëheq në Kosovë? Ka qenë Emin Duraku, apo?
– Në vitin 1943, në shkurt, meqenëse patën filluar do denoncime e burgosje, Komiteti i Rinisë Komuniste ende nuk ishte në atë nivel të duhur të organizimit komunist. Gjakova kishte qenë më e organizuar. Mua dhe Hamit Thaçin na caktuan të shkonim në Gjakovë. Na caktuan të shkonim atje, se Komiteti i Rinisë Komuniste kishte qenë i organizuar bash në Gjakovë, sepse këndej nuk kanë mundur ta organizojnë. Gjakova e ka pasur bazën më të fortë të organizimit. Këtu në Prishtinë nuk ka pasur. Ne çohemi e shkojmë në Gjakovë. Rinia e Gjakovës u gëzua që shkuam ne që të merrte instruksione për të punuar. Ishte Sami Peja me ta. Mbasi shkuam ne, po thonë hajde dalim kinse për të shëtitur. Jemi nisur të shkonim rrugës që çon nga Gjakova për Prizren. Duke shkuar rrugës, këndonim këngë shqipe, por edhe italiane. Pos këngëve shqiptare, pra këndonim edhe këngë italiane. Më kujtohen vargjet: “Avanti popolo ala stacione!”
Kur kemi mbërritur te një urë na kanë dalë italianët. Duart përpjetë! – kanë urdhëruar. Po na kthejnë në qytet. Na kthyen nga ajo lagjja e zejtarëve. Sami Peja ka qenë ilegal, por kishte ardhur me ne. Populli ishte mbledhur. Po na këqyrnin të gjithë! Çka u bë? Ne ishim krejt të rinj. Kur Sami Peja po thotë: Unë do t’i sulmojë këta italianët. Ju ikni! Në atë moment i sulmoi. Ua kapi të dyve armët në befasi. Ata ishin të armatosur. Kur u rrok Samiu me ta, u shkaktua hallakamë, e ne kemi ikur. U përzje populli e italianët nuk mund të gjuanin me armë në masë. Samiu ka kërcyer mbi një mur. Unë mbeta duke u sjellë, nuk dija nga t’ia mbaja, e mësyva një derë. Kur ajo derë kishte qenë e Asim Luzhës. Një nënë e atyre djemve të shtëpisë po më thotë: çka keni, bre djem? Kur ka dalë Asim Luzha. Nga je, bre djalë? Prej Presheve! Po çka ke lypur nga Presheva të vish për të lënë kokën këtu? Isha i lazdruar, përnjëmend. Po unë jam revolucionar, – i thashë, – a po e di ti? (qeshej) I kujt je? – më pyeti. I Ymer Efendisë! Ai po më thotë: qysh bëhet i biri i Ymer Efendisë të punojë me komunistë? I thashë: lërini këto, a jam a nuk jam komunist, apo jo?
Ne nuk kem guxuar të themi kurrë çka jemi a kush jemi! Kriste pushka menjëherë. Ai po pyet: çfarë pozite ke? I thashë: Ne nuk kemi pozita, por luftojmë për liri. Më bëri muhabet shumë. Më dhanë të haja të gjitha të mirat. U kthyem dhe do të shkojmë në një takim.
Për të mos na takua ne, Fadil Hoxha (thuhej se ai ishte aty diku, por me ne nuk u takua) kishte thënë: “Po t’i kishit burgosur ata djem, a po t’i gjejë gjë ata të rinj, vaj halli për ju! Do t’ju kishim likuiduar krejt! U takuam në një mbledhje. Ka qenë një Hajrullahu i Preshevës (e kanë vrarë mbasandaj në Gjilan, ka qenë pasanik i madh). Unë u çova e thashë: Duhet të dimë kush e vrau Harjullahun? E kanë vrarë kishe si spiun. Abdullah Presheva bëri pyetje, pse u vra Hajrullahu, mbasi ka qenë në Lëvizje? Ai ka qenë pasanik i madh! Unë aty po ballafaqohem me konspiracionin e parë. Kush e vrau Hajrullahun?
Xhevdet Hamza tha: E kemi vrarë, se ka qenë spiun. Më tha: Edhe ty të vras! Po i them: kë po e vret ti!? As nuk e dija fare kush është ai Xhevdeti? Ai kishte ardhur të pyeste për atë vrasje. Ta nxjerr gabzherrin, i thashë! Edhe atëherë ka qenë i dobët. Kur në atë moment ka hyrë Mazllum Këpuska! Lëre djalin, i tha! Largohu! Po, kush e ka organizuar vrasjen? Ai njeri, tha, është vrarë gabimisht. Ka qenë njeri i madh e me ndikim. Pastaj morëm instruksionet.
Fadili nuk vinte a?
– Jo! Tash e mbaj mend vetëm atë fjali që ka thanë atë ditë për ne, në Gjakovë, kur u rrok Sami Peja me italianë.
Nga Gjakova u kthyem në Prishtinë dhe i përcollëm ato direktiva. Në Prishtinë u bë denoncim i madh. Serbët krejt u dorëzuan. Pati burgosje të shumta. Në Shqipëri s’ke guxuar të bëje ciu. Konspiracioni ishte i rreptë. U krye viti shkollor. I kryenim aksionet. Shpërndanim trakte. Siguronim shokët nga mali në malin tjetër. Atë vit doli Remzi Pula në mal. Ia kam pas dhënë orën time. Ai ka qenë më i ri se unë. Ka qenë nxënësi më i mirë i shkollës. Ka qenë në klasën e katërt, kur i ka kryer detyrat e maturantëve. Ai ka qenë fenomen në matematikë. Dolën në mal 15 veta, por pas pak i zunë e i pushkatuan të gjithë. E kemi parë kur e kanë sjellë kufomën e Remziut me një karrocë plehu me dy rrota. Kam vrapuar, e kemi kapur kufomën me shokë dhe e kemi varrosur legalisht. Krejt nxënësit e shkollës shkuam në varrim. I ri ishte, 16 vjeç.
A dihet varri i tij?
– S’e di tash! Ka ndryshuar shumë edhe vendi. E di që në varreza e kemi varrosur. Në vitin 1943, kur mbaroi shkolla, na dërguan në Tiranë. Kësaj radhe nuk na dërguan në Golem, por aty afër, në konviktin Nëna Mbretneshë, në një konvikt të të rinjve. Aty na i dhanë pasaportat si shtetas shqiptarë. Shkoi Rexhep Bala i vërtetoi në konsullatën bullgare, që ne të mund të udhëtonim në Preshevë. Ndenjëm nja dy muaj në Tiranë. Aty e kam njohur Pirro Dodbibën, si udhëheqës i gueriles. Prapë kemi marrë pjesë në aksione, në demonstrata. Diku në muajin gusht. Në fillim të gushtit, kemi ardhur me pasaporta në shtëpi. Kur kam ardhur në Preshevë, unë e pata marrë lidhjen prej atje. Abdullahu ishte ilegal. M’i dhanë krejt emrat, që unë të mund t’ua dorëzoja materialet e lëvizjes. Abdullahut ia çova ilegalisht. Ai më caktoi mua udhëheqës të rinisë ilegale të Preshevës. S’ka pasur të pyesësh, pse! Jam të formoja grupe ilegale me Ramadanin, Rexhep Bajren e këta, që ma vonë shkuan edhe partizanë. Në një moment, do materiale që i pata sjellë, ia kishin zënë njërit. E kishin burgosur. Ai ka vdekur. Nuk bën të përmendet tani. Kur e burgosin atë, e kam pas emrin me shkronja AK (Ali Kelmendi). Këto thotë i ka sjellë Ali Aliu prej atje. Bullgarët më burgosën mua dhe, menjëherë, me tren më dërguan në Shkup. Baba mbrapa meje, drejt në Shkup. Kur vijnë në Shkup, intervenojnë përmes Ali Sylës, i cili u ka qenë njeri që e ka çmuar babën tim. Ai nuk lejon të më dërgojnë në burg, derisa të dihet problemi. Edhe policia më ka ruajtur në hotel. Baba shkon e gjen një hoxhë të Kaçanikut, një Mulla Ismajli. Edhe Ali Syla më ndihmon, kur më marrin në pyetje. Baba më tha, mos gabo të pranosh kurrgjë hiç. Unë u thashë; urdhëroni këqyreni pasaportën; aty shkruan Ali Aliu. Unë nuk kam lidhje. Jo, AK domethënë Alia komunist! Pasi më morën në pyetje, baba e gjen njëfarë lidhjeje përmes një ëmbëltoreje e i paguan 300 mijë levë.
Ushtria më ka sjellë deri në kufi. Baba më kishte ble gjithçka; rroba të reja, këmishë e pantallona. Ma kishte bërë gati një valixhe me rroba. Kur vijmë në Kaçanik, aty ndërrohen ushtria. Më merr mua policia. Në Gërlicë më dorëzuan te shqiptarët. Thanë, ky është njeri destruktiv. Element i rrezikshëm! Kur më morën shqiptarët në pyetje, unë u thash se jam nxënës i shkollës. Kam qenë te shtëpia. Ja pasaporta! Menjëherë më lëshuan dhe më thanë; ja lekët e hip në tren deri në Prishtinë. Nëse të nguc dikush, vetëm na tregon neve. Mbërrita në Fushë-Kosovë dhe në Prishtinë vazhdova shkollën. Në vitin 1944 u bë denoncim i madh. E kishin marrë në dorë gjermanët, e rrethojnë shkollën, unë i indoktrinuar në Shqipëri. Ata i mblodhën nxënësit e shkollës, e unë nuk po dal nga klasa. Isha në klasën e dytë. Vjen Ferat Binishi. Ti të shkosh, e ne të mbetemi, më nuk kemi fytyrë. Hajde, ku të shkojmë të gjithë, të jemi bashkë të gjithë. Edhe zbritëm atje poshtë. Krejt kishte qenë lista me emra e mbiemra. Mirëpo, Ahmet Gashi ka qenë rektor, si drejtor i shkollës, ishte edhe Ibrahim Kelmendi. Andon Vasili pati shkuar. Na mbajtën ligjëratë kërcënuese. Mirëpo, kë ta merrnin? Po e merrnin Isak Dobranin, që na ka bërë muhabet shumë, e morën edhe Mustafa Hencin. Kishin pas thënë se të këta dy janë fole të komunistëve. E marrin Isakun, e çojnë në “llogor” (kamp – v.j.). Ai, pastaj, aty në “llogor” takohet me Gjon Serreqin, këtu në “llogorin”(kampin) e Prishtinës. I thotë ai Gjon Serreqi që e njoh njërin me emër Ali Aliu.
Ne kemi qenë të autorizuar t’u dalim përpara këtyre studenteve që po ktheheshin nga Italia. Ishin Tomë Berisha dhe Gjon Serreqi dhe unë isha i ngarkuar t’u tregoja atyre për lëvizjen e të inkuadroja edhe ata. Mua me ra detyra me Gjonin. Unë isha shumë temperament dhe duhej ta bindja atë për t’u inkuadruar në lëvizje. Në fund ai tha se po më pëlqen. Vetëm të ma shkruash në ditar një përkujtim, më tha Gjoni.
Si sot me kujtohet çka kam shkruar: Ki kujdes, të lutem, Gjon! (Unë po i jap nasihat atij (qeshet Aliu), sepse e kupton që kishte punë me një njeri të shkolluar). Mos i dil përpara historisë, se ajo e ka të përcaktuar përpara rrugën e vet. Kur ka ardhur këtu, menjëherë është lidhur me lëvizjen. Ky i ka pasur lidhjet në Ferizaj. Ky Gjoni, kur u kthye Fadili prej Sharrit me gishta të ngrirë, ia ka organizuar mjekët për ta shëruar.
A bën të na rrëfeni pak histori për Gjonin?
– Me Gjonin jam takuar në vitin 1943 në Tiranë. Nga shumë studentë, që ishin aty, nga shumë anë të vendit, vetëm ky ka pasur njohuri të gjerë për historinë kombëtare. Ky ishte i angazhuar me mish e me shpirt për çështjen kombëtare. Ato bisedat që i kam pasur, unë kam folur, ai ka dëgjuar. Nëse e kam tepruar, më ka bërë ndonjë korrigjim. Kurrë nuk më ka mohuar që nuk po di diçka. Prej të gjithëve ka qenë më i ngrituri politikisht, edhe si intelektual. Për herë të dytë po takohem me te unë, pasi u kthye nga llogori. Në kamp të Austrisë ka qenë. Kur është burgosur Isak Dobraja, ka intervenuar tek organet e qytetit dhe u ka thënë se e keni burgosur gabimisht, se ai nuk është komunist.
Gjoni i kishte thënë Isakut, provoje Aliun a është ende i vendosur a jo! Tregoji Aliut se Gjonit ia kanë zënë atë librin, në të cilin kam shkrua unë.
Kur erdhi, më tha se çka i kishte thënë Gjoni. Librin ia kanë zënë gjermanët. Në vitin 1945, ka qenë profesor i gjuhës latine në Gjimnaz. Unë erdha për provim të maturës. Erdha unë këtu dhe e gjeta Gjon Serreqin, në gjimnaz. Takohemi! Ai më thotë; Ali, a po sheh se jemi tradhtuar keq! Pasi qe vrarë Abdullahu, i thashë: Abdullahu, kur më ka parë që jam shumë temperament, ma ka lënë amanet, fjalën e fundit, mos e thuaj të parën.
Këta e kanë marrë forcën në dorë. Duhet të jemi më dhelpërakë se ata.
Tash të kryejmë shkollimin dhe të përgatitemi, kur t’i marrim gjërat në dorë dhe të gjejmë të gjithë ata spiunët bullgarë e serbë edhe të OZN-ës. Duhet ta dini se kemi të bëjmë me dreqin. I thashë se ky ka qenë amanet i Abdullahut. I caktuan afatet e provimeve. Kur u ktheva, nuk e gjeta më. Kishte dal në mal. Kishte dalë me Ajet Gërgurin. Ai Gërguri ka qenë udhëheqës për çështje të bujqësisë në Këshillin Krahinuer. Ne bëmë ashtu si na tha Abdullahu, por edhe ne na zunë herët.
Azem Morana, ka qenë nxënësi më i mirë i klasës sonë. Azemi ishte nga Morana, një katund i Shkupit. Ishte edhe mësimdhënës. Ky po më thotë se puna po e kërkon të vazhdojmë luftën. Ia kallëzova edhe këtij meselenë e Abdullahut. Konspiracioni ka qenë në kulm. E burgosën edhe këtë Azemin dhe e dënuan me pushkatim, se ishte me kapacitet të lartë truri.
A bën të na thoni pak më shumë për punën e helmimit të Abdullah Preshevës?
– Në vitin 1944, kur hynë partizanët në Preshevë, ne mbetëm të habitur. Kuptohet se çka bënin çetnikët, por edhe partizanët bënë masakra. Në Preshevë, në bodrumin e kafes së Tozës, u prenë shumë shqiptarë. Dhe vetëm falë një serbi, që ka qenë komisar politik; Millutin Saviq, u zbulua ajo masakër. Për shqiptarë nuk do të zbulohej.
E zbulon dhe e lajmëron Abdullahun. Ai vrap shkon në Shkup dhe e takon Nexhat Agollin, që kishte mbërritur me Brigadën e shtatë Dibrane. Ai kishte mbërritur në Shkup, takohet me Nexhatin e i thotë; po bëhet masakër në Preshevë dhe të vijë patjetër brigada jote këtu. Ai thotë, po shkoj po flas me Svetozar Vukmanoviq – Tempon, i cili kishte mbërritur atëherë aty. Tempo ishte në Dibër gjatë luftës. I tregon Nexhati Tempos për masakrat nëpër fshatra. Ai i thotë: përskaj të thatit digjet edhe i njomi. Ky Nexhati i thotë po kanë shkuar dhjetë të njomë për një të thatë, si bëhet kjo punë? Tempo i thotë Nexhatit këtë fjali serbisht: “Shto vishe se kosi trava, vishe raste”(Sa më shumë të kositet bari, më shumë rritet).
Asokohe Presheva ka qenë nën Maqedoni. Shkojnë në komandën ushtarake maqedonase dhe u thonë kështu e kështu. Ata thonë; le të niset brigada ku ishte Nexhati dhe le të shkojnë për Kumanovë e Preshevë. Erdhi brigada. Brigada nuk arrinte në çdo fshat dhe masakrat vazhduan. Shkuan edhe një herë në komandë dhe atëherë ia japin autorizimin për formimin e Brigadës së Preshevës. Me çka ta formoj? Gjendu diqysh, i thonë ata. Atëherë Abdullahu ma ka dhënë autorizimin t’i marr shënimet për vrasjet nëpër katunde. Edhe të shkoja t’i thërrisja shqiptarët që kishin qenë në mal, që kishin luftuar kundër partizanëve. Krejt komandantët që kishin qenë në luftë kundër partizanëve, tash të rreshtohen në brigada partizane. U bënë 7-8 mijë veta. U bë brigadë e madhe. E shndërruam në divizion. Vjen koha të dërgohet për Srem. Nexhat Agollin e tërheqin. E bëjnë zëvendëskryeministër të Maqedonisë. Këto dy brigada i nisin. Kur vijnë në Bujanoc, i fusin nëpër shtëpi. Prej asaj brigade ikin shumica. Mbeten edhe 2 mijë e më shumë veta. Mandej, vrap t’i kthejnë. Ky Abdullahu e përcjell brigadën në Vranjë, ata që kishin mbetur. Kur kthehet, Abdullahu më thërret mua: Eja, se po hapet një kurs, seminar politik në Vranjë, e ty do të çoj atje. I thashë, po ku më gjete mua? Më tha: Vetëm ti mund të shkosh aty. Ti ke qenë në shkollën e duhur për njerëz. A po e sheh çka shkruan në libër dhe si e interpretojnë për interesa të vetat!? Mëso edhe ti. Shkuam në Vranjë. Aty, sa rrimë në seminar, e takoj një pop, që kishte shërbyer në Preshevë. Pasi më pyeti, i kujt je, po më thotë si mund të jesh ti komunist prej asaj familjeje të ndershme?
Atë ditë Abdullahu më tha: rri këtu. Jam sëmurë e po shkoj për Preshevë. Unë mbeta aty. Baba a ka pyetur, ku ma le djalin?
Babës i thotë; po e nguci dikush Aliun, unë e kall krejt Vranjën. Baba i thotë, të paskan helmuar, Abdullah. Edhe babën e Abdullahut e kanë mbytur serbët. Hoxhë ka qenë ai. I thotë gruas, shko bjeri kos të pijë. Ky thotë; hajt se shkiet nuk kanë guxim mua të më helmojnë. Shpejt e marrin dhe e çojnë në Shkup. Atje interesohet Nexhat Agolli. Intervenon në spital. Spitali merr masa dhe sigurisht e ka bërë pastrimin. Edhe gjendja e tij përmirësohet. Më vonë ia bëjnë do pika, sikur i ka rënë tifoja. Ai vdes. Hoxhallarët, kur e lajnë – s’ka pika. Askush nuk ka ardhur në varrim nga udhëheqësit serbë, vetëm shefi i sigurimit, Zhika Devetiq. As Nexhati nuk ka guxuar, megjithëse ishte shok i ngushtë i Abdullahut. E lashë atë seminarin, erdha edhe unë në varrim. Ishte edhe Selim Selimi. Ai po qante. Aty Selimi qante me zë e Zhika po i thotë: Pse po qan? Mos qaj, se ai nuk ka qenë njeri yni, serbisht i thoshte. Aty janë dyshimet. Më vonë e kanë ndjekur edhe Selimin, e ai e përsëriste se çka ka dashur të thotë Zhika me atë fjalën serbisht “Nije bio nash çovek” (Nuk ka qenë njeri yni).
Tash po ju tregoj një rast interesant nga jeta: E kam pasur një tezen Sabile, ka qenë e Rahovicës, teze e nanës, çika e Kamber Lishës, e fejuar në Kumanovë. Kur kanë hyrë serbët në 1912, atje kishin bërë një plojë. Këtë tezen, me një djalë të vogël në krah, duke e kërcyer gardhin, e ka rrokur plumbi në këmbë. Ka qenë e re, çikë. Interesant, tregonte ajo, duke u fshehur nëpër hithra, fëmija nuk qante. Ajo ka shpëtuar nga ajo plojë. Ajo grua, tërë jetën ka ndihmuar lindjet e vështira dhe ka shkuar ku e kanë thirrur, u ka ndihmuar grave në lindje pa asnjë çmim. Ajo më thoshte; ruajuni prej këtyre (serbëve), se janë pjellë dreqi.
Pastaj, gjithmonë u jam shmangur bisedave e informacioneve. Kam ikur nga kontaktet dhe e kam izoluar veten. Krejt këtë izolim, për të mos u bërë viktimë e budallallëqeve. Puna e helmimit të Abdullahut ka mbetur enigmë!
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon) /Epoka e re/