Bota sot ka mbi 18 milionë të infektuar me koronavirus
Numri i rasteve të të infektuarve me koronavirus në botë ka arritur mbi 18 milionë. Disa shtete po vazhdojnë të përballen me rritje të numrit të të infektuarve pavarësisht pretendimeve të tyre se e kishin mposhtur virusin në fazën e parë.
Në Shtetet e Bashkuara koordinatorja e Task-forcës për Koronavirus në Shtëpinë e Bardhë, Deborah Birx, ka thënë se shteti i prekur më së keqi në botë nga ky virus tashmë ka hyrë në një “fazë të re”.
“Ajo çfarë po shohim sot është ndryshe prej marsit dhe prillit”, ka thënë Birx.
Virusi “është i përhapur jashtëzakonisht” në zonat rurale dhe në ato urbane.
Sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka infektuar vetëm në ShBA më shumë se 4.66 milionë persona, derisa ka lënë të vdekur më shumë se 155 000 amerikanë.
Ky virus është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar.
Gjashtë muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë globale, të paktën 687 000 persona kanë vdekur në gjithë globin nga Covid-19.
Gjatë fundjavës kjo organizatë ka thënë se pret “periudhë të gjatë” të përballjes me pandeminë.