BOTË NË LËVIZJE
(Me rastin e hapjes së ekspozitës me peizazhe të piktorit Sejdi Kapllanaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë e cila do te jete e hapur deri më 5 dhjetor 2018)
Shkruan: Emrush Xhemajli
Në këtë ekspozitë piktori Sejdi Kapllanit sjell peizazhet me motive nga natyra e pabanuar, ku spikatin lisat karakteristik, por edhe peizazhe nga fshati dhe vendet urbane. Piktori i ikën imitimit duke e ditur se kjo do të ishte mungesë kreativiteti. Ndërsa krijimi është gjithnjë devijim nga rrugët ekzistuese. Ecje në rrugë të reja të pashkelura. Në këtë kuptim peizazhi i Sejdi Kapllanajt është një rikrijim i peizazhit të pa parë më herët. Ai peizazhin nuk e bënë siç është apo siç e shohin të tjerët por ashtu siç dëshiron vet. Pra, është peizazh që buron nga shpirti i tij artistik. Sejdiu i thotë jo peizazhit statik që nuk rrëfen asgjë. Peizazhi i tij është botë në lëvizje, vrapim. Por ja që lisat e trazuar që duket se nguten për ndokund; sikur të jenë të përndjekur nga dikush, rrënjët i kanë thellë, prandaj, megjithatë, janë aty: simbol i dramës njerëzore që flasin me gjuhën universale. Përderisa figura e lisit ne hapësirë si simbolikë ka vuajtjen dhe qëndresën në furtunë, figurat e kullave dhe vendbanimeve të dëmtuara qëndresën e bëjnë në qetësi duke ndrydhë përbrenda fshehtësitë për ngjarjet e kohëve. Sejdi Kapllani për të ndërtuar këtë rrëfim artistik përdor shpesh ritmin e çrregullt që brenda vetes ka lëvizjen në drejtime të caktuara.
Piktori Sejdi Kapllanaj
Ngjyra është elementi kryesor në pikturat e Sejdi Kapllanajt. Kontrastin me intensitet te larte e përfiton me diferencën që krijojnë ngjyrat e ngrohta në përballje me ngjyrat e ftohta. Shtresime kontrasti krijon gjithashtu me kombinimin e ngjyrave komplementare. Mungesa ndonjëherë e toneve me gradacion paraqitet në hapësirë në funksion të ndërtimit të dramës.
Piktori ka kujdes dhe arrin në tablo të ruaj freskinë e ngjyrave, formave. Njëherit ai veçon atë që dëshiron të na i rrëfejë nga hapësirat që përbëjnë sfondin e ngjarjes.
Piktori Sejdi Kapllani nga tiparet kompozicionale për peizazhet e veta është përcaktuar kryesisht për kompozicionin e lirë që anon nga komponimi horizontal e ndonjëherë i s’postuar në një anë, por edhe kompozicionin e kombinuar vertikal. Autorit duke dëshiruar të na sjell në vazhdimësi vepra arti i themi: Faleminderit Sejdi!