Zyra e Grupit të BB-së javën e kaluar shënoi 20-vjetorin e partneritetit me Kosovën
Zyra e Grupit të Bankës Botërore (BB) në Kosovë ka shënuar javën e kaluar 20-vjetorin e partneritetit me Kosovën dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet e Grupit të BB-së me një pritje për zyrtarë të institucioneve, përfaqësues politikë, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të odave tregtare dhe të sektorit privat.
Në këtë aktivitet, mysafirëve u janë drejtuar me një fjalë rasti zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, drejtori i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Thomas Lubeck, si dhe ministri në detyrë i Financave i Kosovës, Bedri Hamza.
Me këtë rast, zëvendëspresidenti Muller, ka thënë se partneriteti me Kosovën ka bërë një rrugë të gjatë.
“Nga rindërtimi dhe normalizimi i jetës pas konfliktit, ne sot po i ndihmojmë Kosovës të kalojë në një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ne synojmë ta mbështesim këtë qëllim duke e fokusuar mbështetjen tonë në tri fusha në veçanti: përshpejtimin e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, dhe promovimin e energjisë së besueshme. Mund të jemi krenarë me rezultatet që i kemi arritur së bashku, dhe shumë prej jush kanë luajtur rol kyç. Jemi entuziastë për thellimin e partneritetit me autoritetet e reja, që t’i ndihmojmë Kosovës t’i arrijë qëllimet e veta zhvillimore”, ka thënë Mulleri.
Kosova është bërë anëtare e Grupit të Bankës Botërore në qershor të vitit 2009 dhe deri më sot BB-ja ka siguruar rreth 500 milionë dollarë në grante dhe kredi, duke investuar në njerëzit dhe ekonominë e Kosovës.
/Epoka e re/