Botërori i Formula 1 me 23 gara
18 janar 2023
| 13:11
Botërori 2023 në Formula 1 do të jetë me 23 gara. Drejtuesit e Formula 1 kanë marrë vendimin për të mos zëvendësuar garën e Kinës me ndonjë garë tjetër, duke mbyllur përfundimisht mundësinë që të garohet në shtetin aziatik.
Para disa ditësh u përfol se gara e Kinës mund të rikthehet në kalendar, pas heqjes së masave anti-Covid. Formula 1 vendosi që të mos ndërhyjë në kalendarin e miratuar që më parë, duke konfirmuar një pushim të gjatë 4 javor, nga 2 deri më 30 prill (më 16 prill ishte planifikuar të organizohej gara në pistën e Shanghai).
Ky është viti i katërt radhazi që anulohet gara e Kinës (hera e fundit, viti 2019 me fitues Lewis Hamilton). Botërori 2023 do të nisë më 5 mars në Bahrein dhe do të mbyllet më 26 nëntor në Abu Dhabi.