Botohet leksikoni “Sportistë dhe çlirimtarë”
Sot ka dalë nga shtypi leksikoni “Sportistë dhe çlirimtarë”. Atë e ka përgatitur Erald Selca. Projektin e ka realizuar Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, kurse e ka subvencionuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Më poshtë njoftimi i Qendrës “Sheshi”:
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” e pa të nevojshme që ta realizojë një aktivitet të dokumentimit të së kaluarës së afërme të sportit tonë. Qëllimi parësor ishte që të realizohej një leksikon i ish-luftëtarëve lirisjellës që kanë qenë sportistë para se të fillonte lufta jonë. Leksikoni është titulluar “Sportistë dhe çlirimtarë”, me synimin që një titull i tillë i përshtatet më së miri sportistëve të tillë, që u bënë pjesë e luftës dhe sakrificës sublime për lirinë e Kosovës.
Për hartimin e një leksikoni të tillë është dashur një hulumtim i gjatë dhe i vazhdueshëm në terren, në pjesë të ndryshme të Kosovës, për të qenë sa më korrekt dhe sa më profesional. Për këtë ndërmarrje hulumtuese janë angazhuar bashkëpunëtorët profesionalë, të cilët kanë bërë një punë të lavdërueshme në mbledhjen e informatave dhe krijimin e profileve të shkurtra biografike për sportistët që u bën pjesë e çlirimtares sonë. Kjo punë u bë me vullnet dhe dashamirësi të plotë ndaj kontribuuesve të mëdhenj në planin sportiv dhe atdhetar, me mendimin se asnjëherë nuk mund të shpaguhet mundi i njerëzve që dhanë shumë për lirinë dhe mëvetësimin e sportit tonë. Por, ne synuam që ta vëmë një pikë, një gjurmë sado të vogël, në historinë e madhe që mund të shkruhet nesër.