Botohet libri ‘300 afirmime pozitive për fëmijë’ i Antigona Behramit
“Antigona Behrami, zonja më e dashur në të gjitha trojet shqiptare, autorja më e kërkuar, e pëlqyer dhe e nderuar, deri më tash ka botuar gjashtë libra. Pak javë pas botimit të tyre, për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm, janë bërë libra best sellerë. Dhjetëra herë librarët e Shqipërisë e të Kosovës librat e saj i kanë shpallur librat më të shitur të javës e të muajit. Certifikata mirënjohjeje dhe lëvdata i kanë dhënë dhe dërguar organizata dhe lexues nga e gjithë bota. Shqiptarë dhe të huaj. Ani pse nuk i ka përfunduar librat për të rriturit, ka kohë që ka planifikuar botimin e këtij libri për fëmijë. Ka punuar gjatë në të dhe për të. Tash që gati ka perënduar koha e përrallave dhe e gjëegjëzave, ka ardhur një tjetër kohë: koha e motivacionit dhe e falënderimeve. Meqë shpeshherë themi se fëmijët e sotëm nuk janë si ata të para dy a tri dekadash, ky libër është shkruar për fëmijët e ditëve të sotme. Në treqind afirmimet e këtij libri janë fjalët më të përzgjedhura të cilat autorja ia ka thënë nipit të vet, Gjonit, sukseset e të cilit i ka parë dhe matur çdo ditë. Prandaj çdo prind, çdo gjyshe, çdo gjysh, që ka dëshirë t’i shohë fëmijët, nipërit dhe mbesat në majë të sukseseve, duhet ta ketë libër. Nëse ju i ndihmoni fëmijët për t’u ndier mirë dhe për t’u bërë të suksesshëm, edhe i gëzoni me dhurata të ndryshme, të lira dhe të shtrenjta, dhuratë më të bukur e më të mirë për ta sesa ky libër nuk ka. Investoni në jetën dhe suksesin e tyre duke ua bërë dhuratë këtë libër-medaljon. Përdoreni sot nëse doni t’i korrni sukseset e tyre nesër!”, ka shkruar botuesi “Armagedoni” në kapakun e pasmë të librit.
Për këtë libër gazeta “Epoka e re” ka realizuar një intervistë të shkurtër me autoren Antigona Behrami.
E nderuar, sot morët nga shtypi librin “300 afirmime pozitive për fëmijë”. Sa është i nevojshëm ky libër për fëmijët? Çfarë i mëson ata?
Behrami: Po, botuesi sot m’i solli ekzemplarët e këtij libri dhe jam shumë e kënaqur me bashkëpunimin me të. Ky libër, sa është i rëndësishëm për fëmijët, po aq është i rëndësishëm edhe për prindërit e tyre. Jam gjyshe e një nipi dhe po pres të bëhem gjyshe e një mbese. Nipin tim, Gjonin, përkrah familjes së tij, babait dhe nënës, e kemi rritur duke i thënë afirmime të ndryshme për jetën dhe për suksesin. Çdoherë e kemi bërë të ndihet mirë sepse e kemi motivuar ditë e natë me fjalët më të përzgjedhura, më të mira, që i kam shënuar në këtë libër. Ai është një fëmijë i edukuar, i cili, fjalët që dikur ia kemi lexuar nga ky libër sa ka qenë dorëshkrim, ka filluar t’i jetësojë. Edhe pse fëmijë, punon për t’i realizuar ëndrrat dhe dëshirat që i shpreh nëpërmjet përsëritjes së afirmimeve.
Ka karakter edukativ ky libër?
Behrami: Edhe edukativ, edhe motivues. Fëmijët nuk mund të motivohen vetvetiu pa bashkëpunuar me ta prindërit e tyre, kujdestaret e tyre, edukatoret e fëmijëve në çerdhe.
Si duhet ta përdorin prindërit këtë libër?
Behrami: Përdorimi i tij është fare i lehtë. Kurdo që prindërit e tyre, kujdestaret e tyre, edukatoret e fëmijëve në çerdhe u lexojnë afirmime, kurdo që ata i lexojnë vetë afirmimet e këtij libri, do të mësojnë ta jetojnë jetën me vetëbesim dhe dashuri.
Kur dhe ku do ta përuroni këtë libër?
Behrami: Shumë shpejt. Sigurisht, fillimisht, në Prishtinë, pastaj edhe në Tiranë dhe qytete të tjera. Në ligjëratat që mbaj në rrjete sociale prindërit i kam njoftuar për këtë libër dhe ka disa ditë që më pyesin a doli nga shtypi. Ka kërkesa për të nga shumë njerëz. Sot, nëpërmjet gazetës suaj, po i njoftoj se libri ka dalë nga shtypi dhe nga nesër do të bëjmë shpërndarjen e tij.
Çfarë u thoni prindërve për këtë libër?
Behrami: Besoj se secili prind bën përpjekje maksimale ta shohë fëmijën e vet në kulmin e suksesit. Prindërit e fëmijëve që bashkëpunoj, sipas mundësive që kanë, përpiqen të realizojnë çdo dëshirë të fëmijëve të tyre. I bëjnë të ndihen mirë dhe të lumtur me dhurata dhe me shëtitje. Dëshiroj që ata prindër te fëmijët e vet të investojnë edhe nëpërmjet këtij libri. Më shumë se dhuratat, fëmijët i çmojnë fjalët afirmuese. Edhe prindërit, edhe fëmijët, do t’i çmojnë fjalët e këtij libri, të cilin botuesi, me të drejtë, e ka quajtur libër-medaljon.