Botohet libri “I virgjri dhe tregime të tjera” i Lulzim Murselit
Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka dalë nga shtypi libri me tregime i prozatorit të ri Lulzim Murseli. Botuesi, Berat Armagedoni, në kapakun e librit ka shkruar: “Ky libër i ka vetëm tetë tregime. Dy të shkurtra, gjashtë të gjata. Ngjarjet e këtyre tregimeve nuk janë metafizike, por janë fizike. Janë mbledhur dhe marrë në kafene, në shtëpi, në oda, në hotele, në trafik, në luftë, në pyll… Ka personazhe burra dhe ka gra; ka vajza dhe ka djem. Ndodhitë e tyre janë komike, tragjike dhe tragjikomike. I ka shkruar një autor i ri që për herë të parë shkruan letërsi. Ama edhe pse shkruan dhe boton për herë të parë, hem shkruan bukur, hem argëton. Një si ky, që të përtokë së qeshuri, njëherë e një kohë ishte në Amerikë. Ai quhej Sinclair Lewis. I pari shkrimtar amerikan, laureat i çmimit Nobel për letërsi. Duke përmendur atë, s’po bëj thirrje t’i jepet një çmim i tillë Lulzim Murselit nga Vushtrria, vetëm po bëj thirrje që këtij djali t’i kushtoni vëmendje sa herë që shkruan tregime. Më tha lexoj romane dhe poezi, por nuk kam lexuar asgjë nga Lewisi dhe as dëgjuar për të. Ma dha fjalën se, për shkak të ngjashmërive tematike, ironisë, satirës, rrëfimit të rrjedhshëm, dialogut të shkurtër, humorit të mirë, të priturave e të papriturave, do t’i lexojë tregimet e shkurtra të Lewisit dhe, ashtu si ne me tregimet e tij, do të qeshë dhe të qajë edhe ai me të tij”.