Botohet libri ‘Kosova – Mundësi për Investime’
Libri “Kosova – Mundësi për Investime”, i autorëve Ylli Kaloshi dhe Ejup Gojnovci është një botim me karakter promovues.
Përmes këtij libri autorët kanë prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investime në fusha të ndryshme, dhe ambientin e favorshëm të të bërit biznes në Kosovë.
Botimi i këtij libri, realizohet me të vetmin qëllim që të prezantohet ambienti i favorshëm i të bërit biznes në Republikën e Kosovës, por nuk ndalet me kaq. Shkurtazi, prezantohet e kaluara e Kosovës në aspektin ekonomik e historik, kulturor, trashëgimor, të traditës etj. Kush ishte e ku ishte Kosova në të kaluarën e saj historike, me theks të veçantë në aspektin ekonomik? Cilat ishin e cilat janë sot potencialet e saj për zhvillim ekonomik e për investime, çfarë pasuri natyrore dhe çfarë potenciale dhe resurse për zhvillim ekonomik ofrojnë të gjitha komunat e Kosovës veç e veç? Çfarë pasurish nëntokësore e çfarë asete mbitokësore ka Kosova? Kush janë disa ndër biznesmenët e suksesshëm të Republikës së Kosovës që kanë zhvilluar e zgjeruar ndërmarrjet e tyre e kanë depërtuar me prodhime edhe në tregjet globale? Si e menduan ambientin e të bërit biznes në Kosovë disa nga kompanitë e jashtme që kanë investuar në Kosovë dhe si arritën për kohë të shkurtër të bëhen ndër kompanitë më të suksesshme në vend etj.
“Tashmë, libri ‘Kosova – Mundësi për Investime’, pa dritën e botimit pas më shumë se katër vjet të punës aktive, të pandalshme e shpesh shumë sfiduese. Pa synuar ta kemi bërë të përsosurën, të 460 faqet e tij kolor e në dy gjuhë shqip e anglisht, do komunikojnë me lexuesin”, ka shkruar në “Facebook”, Ejup Gojnovci, njëri nga autorëte librit.