Botohet libri “Kumbime…” përkthyer nga Irena Dono Jorgaqi
Ka dalë nga shtypi “Kumbime : një mozaik me poezi nga poetë të ndryshëm të botës”, përzgjedhur dhe përkthyer nga origjinali në shqipe nga Irena Dono Jorgaqi.
Në këtë libër janë botuar poezi të pesëmbëdhjetë poetëve botërorë.
Studiuesja Alisa Velaj, e cila ka shkruar parathënien e librit, ka veçuar se “përmbledhja me poezi ‘Kumbime’, sjellë me një shqipe gurgulluese, ku rrjedha e mendimeve dhe e imazheve shkrihen me njëra-tjetrën në një simbiozë aq të çlirët e paqtuese, është nga ato përkthime të munguara dhe jo fort të gjendshme në tregun e poezisë së përkthyer në Shqipëri. Irena Dono, përkthyese me një përvojë rreth gjysmëshekullore, ka arritur të na sjellë një mozaik me poezi nga poetë të ndryshëm të botës. Poetët e zgjedhur për përkthim kanë atdhe të përbashkët gjuhën angleze dhe përfshijnë krijues prej gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit të njëzetë. Kriteri i vetëm i këtij mozaiku poetik është cilësia e poezisë. Sara Teasdale, James Joyce, Thomas Bailey Aldrich, Stephen Crane, Emily Dickinson, Edna St. Vincent Millay, Christina Georgina Rossetti, Christopher John Brennan, Alice Thompson Meynell, William Blake, William Butler Yeats, Stephen C. Foster, Harold Hart Crane dhe Ella Wheeler Wilcox përfaqësojnë secili një emër shumë të nderuar në gjuhën angleze”.
Këtë libër ia ka sugjeruar për botim shtëpisë botuese “Armagedoni”, poeti Bujar Salihu.