Botohet libri me poezi “Kur dhimbja flet” i Mimoza Bytyqi Rrahmanit
Ka dalë nga shtypi libri i parë me poezi i autores Mimoza Bytyqi Rrahmani, botuar nga N. Sh. “Armagedoni”.
Këtë libër autorja ia ka kushtuar djalit të vet: “Për tim bir, që me qëndrueshmërinë e tij më frymëzon çdo ditë e gdhendë çdo fjalë brenda këtyre faqeve…”.
Poezi nga libri i botuar:
M’thuaj
Dhimbje m’thuaj
a jam e fortë
a t’kam ba ballë
qëndrue a kam
rrugëve kur me ty u ndesha
ditëve kur me ty jetova
viteve që pa ty s’mbeta?
a t’kam ba me folë
trishtimin a ta kam veshë
a t’kam dhanë lot
a t’kam ba me qeshë
rrugëve kur me ty u ndesha
ditëve kur me ty jetova
viteve që pa ty s’mbeta?
a t’kam ba me u pa
a t’kam zbukuru
a t’kam lanë n’heshtje
a ndoshta n’sy ke ra
rrugëve kur me ty u ndesha
ditëve kur me ty jetova
viteve që pa ty s’mbeta?
a t’kam ba me ndi
a t’kam bërtitë
a t’kam mbajtë fshehtë
a t’kam soditë
rrugëve kur me ty u ndesha
ditëve kur me ty jetova
viteve që pa ty s’mbeta???
N’kërkim
Ëndrrat dhimbja i vodhi
i fshehu
i ngriu
në fund oqeani i zhyti,
shtatë palë ndër ujë
mbuluar harresa i ka
e ti
n’anije n’lundrim
vetëm
je pirat aka zbulues
vazhdon t’kërkosh
thesar shprese t’gjesh
thesar ëndërrash t’gërmosh!
Mendimesh vërshuar
Qyteti pa zë
n’heshtje dorëzuar,
s’bëzajnë gurët e shkelur
parmaku i vjetëruar,
dysheme dërrasash
prej krimbash thërmuar,
olluqet pikojnë
ujë t’pastër, t’kulluar,
oxhaqet nxjerrin tym
si n’kohë të shkuar,
dritat tek tuk ndezë
n’kandil dritëzuar,
erë e lehtë fryen
gjethet degësh trazuar,
pak yje në qiell
qiellit resh mbuluar,
hënë në t’sosur
ditë në të filluar,
zhurmën risjellë
n’trajtën e kaluar,
përsërit vetveten
mendimesh vërshuar!
Shëmbëllim
Mendim i
Hershëm,
pa fjetur,
zgjuar…
si pikë vese
a si lot kur syrin merr…
shëmbëllim që mendimin sjell…
Gjithçka që prapa teje ishte
para teje del…
Me vjeshtën përzier
Vjeshtës do t’i jepem,
ngjyrave t’saj
do t’zhytem,
gjetheve që do t’bijnë
e degësh që do t’këputen,
era me to do t’më përziejë.
Do t’lagem,
do t’shkrihem,
e kur qielli t’jetë gri,
me re,
me shi,
Zogun e vogël,
krahëlodhur,
do ta shtrëngoj n’gji
e kur dimri të vijë
do t’i bëhem çati.