Botohet libri me tregime “Kthimi i profetit”
Prozatori Adil Olluri ka botuar një libër të ri. Ai titullohet “Kthimi i profetit” dhe në të janë përfshirë tetëmbëdhjetë tregime. Këtë herë botues është shtëpia botuese “Armagedoni”, e cila, në një shënim të shkurtër për këtë libër, ka shkruar: “Autori i këtij libri me tregime, ashtu si në dhe me librat e mëparshëm me tregime, ngjarjet e tregimeve dhe të personazheve po vazhdon t’i zhvillojë në Kosovë, kurse temat e tyre t’i kalojë përtej kufijve kombëtarë, t’i bëjë më joshëse, më të ndjeshme, më intriguese dhe më ngacmuese për lexuesit sa duke gjuajtur yçkla në gojët dhe veprimet e personazheve komikë dhe tragjikë, po aq edhe duke ngrehur në majë të gjuhës dhe veprimeve të tyre ironinë dhe sarkazmin, në pak raste edhe groteskun.
Së këndejmi, në 18 tregimet e këtij libri, ani pse personazhet janë të ndryshëm e rrëfyesi është një i vetëm që rrëfen kryesisht në vetën e tretë, në disa raste në të parën, duket sikur aty është vetëm një personazh që shtegton nga njëri tregim në tjetrin, që hap tema me të njëjtën gjuhë bisedore dhe fakte historike e që, herë provokon pak e herë shumë: fenë islame, shtetin, pushtetin, korrupsionin, krimin…
Shënime për autorin
Adil Olluri (1984) është nga Krojmiri i Lipjanit. Shkruan prozë artistike dhe kritikë letrare. Tregimet e tij janë përkthyer në gjuhën italiane, angleze, çeke, gjermane, sllovene, serbe, esperanto dhe rome. Olluri ka fituar çmimin ndërkombëtar për letërsi “Premio Ostana Internazionale 2018” që jepet në qytetin e Ostanës (Itali). Po ashtu, ishte një nga pesë fituesit e shpërblimit të Asociacionit të Esperantologëve të Bialystokut, Poloni (2017).
Deri më tash ka botuar librat: Trilogjia postmoderne (monografi); Romani postmodern shqiptar (monografi); Shumë rrugë dhe një rënie (tregime); Bartësi i shpirtrave të përzënë (roman); Fytyra e tiranisë (monografi); Shkrimtari polimorf (monografi).
Jeton dhe punon në Prishtinë. Ky është libri i tij i shtatë.
Sh. B. Armagedoni