Botohet libri “Menaxhimi strategjik i avancuar” i profesoreshës Anita Cucović
Ka dalë nga shtypi monografia “Menaxhimi strategjik i avancuar” i profesoreshës Anita Cucović. Në këtë libër autorja hollësisht jep shpjegime teorike dhe praktike për konceptin e menaxhimit strategjik të avancuar. Në këtë libër ajo bën analiza të ndryshme nga fusha e inovacionit, teknologjisë dhe udhëheqjes, duke analizuar se si organizatat mund t’i përdorin këto elemente për të ndërtuar strategji të shkathëta. Përmes analizës së rasteve studimore, palët e interesuara do të kenë mundësinë të shohin se si organizatat udhëheqëse i kanë zbatuar me sukses këto strategji të avancuara për të arritur avantazhe konkurruese, për ta përmirësuar efikasitetin operacional dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme. Përveç këtyre, eksplorohet roli i inovacionit teknologjik, transformimi digjital, se si organizatat mund të mbështeten në mjetet teknologjike për ta kuptuar më mirë tregun, për të identifikuar mundësi të reja dhe për ta përmirësuar vendimmarrjen.
Shënime për autoren
Anita Cucović është profesoreshë universitare dhe eksperte në fushën e menaxhimit. Bartëse e planit dhe programit të studimeve bazë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë dhe pedagoge e angazhuar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Ka botuar një numër të madh punimesh shkencore dhe profesionale në revista me indeks të lartë dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore. Fusha të kërkimit të saj janë filozofia e menaxhimit, shkencat sociale dhe humane.
Profesoresha Cucović ka marrë pjesë në trajnime të shumta. Është recensuese e një numri të madh tekstesh të shkollave fillore si dhe punimeve shkencore në revista shkencore me indeks të lartë.
Profesoresha Cucović ka mbajtur pozita të larta drejtuese në disa institucione dhe ka qenë anëtare e disa komisioneve të ekspertëve dhe profesionistëve. Ajo është anëtare e Këshillit të Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, gjithashtu anëtare e përhershme e komisionit për monitorimin e zbatimit të planit strategjik të UHZ-së.
Për kontributin në mësimdhënie dhe aksione të shumta humanitare ka marrë mirënjohje nga Organizata Studentore në Universitetin “Haxhi Zeka” dhe disa organizata të tjera.