Botohet libri “Nga pesimizmi në optimizëm”

15 maj 2023 | 10:18

Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Koliqi” është botuar libri “Nga pesimizmi në optimizëm: për zemrat e thyera” i autores Jesmina Kurtaj. Në këtë libër është përvoja e ngjarjeve të autores të kaluara gjatë jetës. Më poshtë parathënia e librit:

Parathënie

Së pari shpreh falënderime dhe mirënjohje për Krijuesin e Plotfuqishëm që ma dha mundësinë e shkrimit dhe publikimit të këtij libri.

I jam falënderuese dhe mirënjohëse vetes sime që, pavarësisht dhimbjeve dhe vuajtjeve, nuk është dorëzuar asnjëherë e nuk është ndalur së besuari që më e mira do të vijë.

Shkrimet e këtij libri filluan pesë vite më parë, kur po kaloja gjendje jo të mirë shpirtërore, psikologjike, ekonomike dhe familjare.

Çdo shkrim lidhet me një ngjarje që kam kaluar, ku në secilën prej tyre i kam folur vetes.

Kur gjërat shkruhen në letër, aktivizohen më shumë muskuj dhe më shumë sinjale nervore nxiten për t’u vënë në punë.

Kur mesazhet dalin nga mendja dhe rilexohen, ato projektohen më mirë për t’i gjetur rrugët që të çojnë drejt zgjidhjeve. Kjo gjë ka ndikuar tek unë duke më bërë ta kuptoja situatën në të cilën ndodhesha dhe se si mund të punoja për t’i përmirësuar gjërat.

Shkrimet kam vendosur t’i sjell në vetën e dytë, pasi ashtu siç i kam folur vetes, po të flas edhe ty që po e lexon këtë libër, me shpresën se do të nxjerrësh mësimin që ke nevojë dhe mesazhin që të duhet për gjërat e tua, të cilat do të të udhëzojnë drejt vetes tënde dhe realizimit të ëndrrave tua.

Titulli që i kam vënë secilit shkrim mbart një këshillë apo rezultat në vetvete, të cilin jam munduar ta brendësoj për veten time dhe të jetë i vlefshëm edhe për ty.

Do të lexosh tituj që përsëriten disa herë, me qëllimin që të kuptosh se gjatë jetës do të përjetosh situata të ndryshme por, që do të të japin të njëjtin mesazh derisa ti ta marrësh dhe ta brendësosh mësimin që të duhet.

Në pjesën më të madhe të shkrimeve kam përmendur Zotin, pasi çdo gjë që më shohin sytë, ma ndien zemra e shpirti dhe ma mendon e imagjinon mendja ma vërtetojnë ekzistencën e një Burimi, të një Inteligjence të Lartë nga e cila e kemi prejardhjen dhe që dizajnon çdo gjë në mënyrë perfekte duke vënë çdo ‘copë të pazëllit’ në vendin e duhur vetëm për ta përsosur çdo pamje.

Ndoshta ti do ta gjesh veten në atë se çfarë unë kam shkruar, ndoshta edhe jo!

Por jam e sigurt se do të marrësh nga ky libër atë që të nevojitet.

Dije se Zoti, përherë, do të sjellë në rrugëtimin tënd persona që do të të ndihmojnë të bëhesh ai që dëshiron.

Ji vigjilent dhe bëj më të mirën tënde të mundshme.

Përzemërsisht,

Jesmina

Shënime për autoren

Jesmina Kurtaj ka lindur në vitin 1990 në rrethin Malësisë së Madhe, Shqipëri.

Ka mbaruar studimet bachelor për Financë-Kontabilitet dhe master për Financë-Bankë.

Që e vogël është marrë me shkrime dhe ka qenë pjesë e konkurseve të ndryshme për recitim, prozë, prezan­tim dhe konkurse të tjera inteligjence.

Në vitin 2015 është shpërngulur në Itali për arsye familjare. Vështirësitë e emigracionit e kanë bërë t’i shprehë ndjesitë në letër dhe një nga ato ndjesi është edhe ky libër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni” ka dalë të shtunën…