Botohet libri “Parajsë e nëmur”

29 maj 2019 | 13:55

Libri më i ri me poezi i poetit Sadik Krasniqi, “Parajsë e nëmur”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka dalë nga shtypi në fillim të kësaj jave.

Libri ka një parathënie shkruar nga kritiku Zija Vukaj, i cili analizon disa prej poezive dhe veçon karakteristikat letrare të tyre. “Ky vëllim poetik ka një strukturë ciklike dhe, si i tillë, dëshmon qartësinë artistike, kthjelltësinë dhe kohezionin e një vepre të ngjizur e të shestuar nga intuita dhe kredoja e autorit për të komunikuar ‘en bloc’ me lexuesin si vazhdimi i një dialogu artistik pa fillim e pa fund.

Përbëhet prej pesë cikleve poetike: ‘Psalm dëshmie’, ‘Këmisha me flutura’, ‘Sa pak frymë’, ‘Solemniteti i mërzisë’ dhe ‘Bulëzim thysash’. Poezitë e këtij vëllimi, autorin e të cilit e lexoj dhe e njoh për herë të parë si poet, transmetojnë shumëçka nga kompleksiteti i ndërlikuar i shpirtit të njeriut, me një ndjeshmëri të lartë, lirizëm të hollë dhe mjeshtëri të rrallë artistike”, ka shkruar kritiku Vukaj, duke veçuar, ndër të tjera, ngjeshurinë e vargut të Krasniqit me imazh, mendim, përjetim dhe paraqitje gjendjesh.

POEZI NGA LIBRI I SAPOBOTUAR

AJO NË PASQYRË

Për çdo natë
në dhomën 05
ajo
del nga vetja
si nga këmisha e natës
hyn në kornizë
e tëra bëhet sy
shikon vetën e zbrazët
sa t(m)err e ferr
ai hon i zi

Nidda, janar ’18

TI

Fantazi fantazme ke ti
në buzë puthjen e vdekjes
lot të zi në sy

gjarpër të verdhë gjuhën
ko(r)b fjalën

lule varrezash në duar

si të ta marr një fije floku
për ADN-në
gen Kasandre do të jetë
e di

FERRI MBI TOKË

(Nga pamja e një nëne të re, duke kërkuar fëmijët e saj,
në gërmadhat e qytetit Aleppo të shkatërruar)

Zot pse s’po i njoh fëmijët e mi
krejt të njëjtë qenkan bërë këta engjëj
me fytyrë prej dheu e gjak të zi

Zot mos më mëkato po e heq ferexhenë
ata do të më njohin ma kanë parë fytyrën në shtëpi

Zot jashtë po e nxjerr njërin gji
i vogli i nënës aromën e qumështit do ta ndiejë
ende e pata për gji

Zot do t’i nxjerr edhe dy sytë e mi të zi
do t’i varros me dorën time
në këtë ranë të djegur
më mirë e verbër
se t’i shoh ata të meitë

Kështu gjysmë të zhveshur
edhe në më marrshin për lavire
të më gjuajnë me gurët e rrënuar
ndoshta e shohin këtë ritual fëmijët e mi
ndoshta do të thërrasin oj nënë

vetëm të di që janë gjallë
edhe ky ferr mbi këtë tokë
edhe tjetri nën dhe
parajsë do të jenë për mua
vetëm ata të jenë gjallë
oh pse s’po i njoh fëmijët e mi

Nidda, 2016

TRENI*

Për tek ara matanë hekurudhe
herët nisej baba
me mbrri para treni

i ulun para në kerr
tu e kqyrë orën e shokës

tash keni me pa trenin
po kali ka me na u trembë

pas dy ore në diell
dilte njeri i zi
e çonte dërrasën me dorë

hajt grahi
m’thanë
treni vonohet
edhe nja dy orë

baba pa e kqyrë
hala me orën në dorë
hyj dori
ta dhjefsha shtetin
që i vonohen trenat

ma mirë që baba s’asht ma gjallë
në këtë shtet që s’ka ma trena
në vendin që e kqyrte orën e shokës
mbi ata gurë ka mbetë vetëm udha
shinat janë vjedhë

baba do t’kish plasë prej mërzisë
na do t’ishim trishtue
me babën e shtrimë në kerr

vetëm kali do t’ish dalldisë
pa dizgina
e s’kishin hangër mizat e zhegut
tue pritë

KJO DITË

Ditës si kjo
nuk i duhet emri
data e javës e stinës e vitit
është ditë me vetëm
mërzi mërzi mërzi

gjithnjë e më shpesh
e tilla ditë
shlyen datat stinët e vitet
në kalendarin me sfond të zi

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar…