Botohet libri “Shënime të pamjaftueshme”
Imer Topanica, poet dhe prozator, ka botuar librin më të ri me poezi, me titull “Shënime të pamjaftueshme”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Sipas recensentit të librit Abdulla Rexhepi, “Shënime të pamjaftueshme” reflekton një vazhdimësi dhe pjekuri estetike, poetike dhe filozofike të poetit.
Emërtimi i përmbledhjes “Shënime të pamjaftueshme” shënjon një modesti madhështore, për faktin se vetë poeti këto “shënime” (lexo: poezi) i kundron të pamjaftueshme për ta manifestuar ndjenjën dhe mendimin e tij origjinal. Ose për arsye se kur vetë përjetimi dhe mendimi derdhet në një shënim/shkrim, aprirori përjeton një kufizim semantik, sepse është i detyruar t’u nënshtrohet domethënieve konvencionale të gjuhës dhe kulturës në të cilën është shkruar. Në të njëjtën kohë, këtë titull mund ta kuptojmë edhe si një lajmërim për “shënime” të tjera që, ndoshta, “më mjaftueshëm” do ta pasqyrojnë botën ideore dhe emotive të poetit.
“Ky vëllim poetik, gjithashtu, do të bëhet urë që do ta ndërlidhë kulturën shqiptare me kulturat e tjera të botës dhe, pa asnjë dyshim, do të jetë një kontribut për krijimin e një klime paqësore, ku dashuria do të jetë kriteri kryesor i gjykimit të njerëzve”, ka shkruar recensenti Abdulla Rexhepi.
POEZI NGA LIBRI I SAPOBOTUAR
Gjaku që po e shesim çdo ditë
Shi
Prishtinë
M’u ba se e njoha
Bash pranë nji kalimi për këmbësorë
Qëndroi do sekonda, me nji gazetë nën sqetull
Me kasketë rrasun deri në sy
Dhe pallton me jakë të ngritun
Ali Podrimja
Shi në Prishtinë
ji i grumbulluem kanaleve
Përzie asht me gjakun tonë
Këtë gjak të përziem, a thu, a mund ta falim
Hapësina
Uka, gjyshi im
Gojtar i ndigjuem odash
Vuejti në shtrat do muej
E ia dorëzoi shpirtin Zotit
Në bahçe
Udhëve
E n’atë odë
N’atë gavrën e tij të vocërr
(e tillë më ngjante oda ku tymoste duhan)
Ma nuk e gjen
S’e gjen as nën hijen e arrës
As kund në livadh
As në çajtoren e preferueme në shehër
As në xhami,
Kaq hapësinë pati zanë qenia e tij
Me hafizin
Kaq vonë
Kur shpirtrat i braktisin trupat
Dhe bredhin nëpër andrra
Rri mbi gemin e kësaj bote
Pi çaj
Tue i dashtë
Poezitë e Hafizit