Botohet libri ‘Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989)’
Të hënën në ambientet e Institutit Albanologjik me një pjesëmarrje të madhe të ish të burgosurve politikë shqiptarë është promovuar Libri ‘Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989)’.
Këtë libër e botoi Instituti Albanologjik, Prishtinë 2019 me autor prof. dr. Sadik Mehmeti dhe prof. dr. Hysen Matoshi me titull: ‘Të burgosurit politik shqiptarë në Jugosllavi (1989), sipas dokumenteve sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe të Administratës’).
Në këtë libër ofrohen të dhëna për 277 të burgosur politikë, nga të cilët si gjithmonë, shqiptarët ishin shumicë në burgje, me gjithsej 245 veta, me emër e mbiemër ose thënë në përqindje, mbi 89 për qind e të gjithë të dënuarve politik nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë ishin shqiptarë.
Ky libër është mjaft voluminoz dhe ka rreth 339 faqe, dhe që trajton një nga periudhat më të bujshme, më të lavdishme dhe me të dhimbshme të historisë së Kosovës në fund të shekullit XX.
Me fjalë rasti rreth këtij libri në këtë promovim u paraqitën edhe Hydajet Hyseni, Mazllum Baraliu, Sabile Keqmezi-Basha dhe vet autori i këtij libri Hysen Matoshi.