Botohet, pas vdekjes së autorit, novela “Malli për strofkën”
Ka dalë nga shtypi novela “Malli për strofkën” i autorit Mumir Ferko (Musli Berisha). Ky libër është botuar pas vdekjes së autorit. Botimin e këtij libri, sa autori ishte gjallë, ia ka besuar Berat Armagedonit, i cili i kishte lënë këtë amanet familjes: Jepja këtë libër për botim Berat Armagedonit, se kujdeset për të po sa unë.
Ja çfarë ka shkruar Armagedoni në kapakun e librit:
E shkroi, e përgatiti për botim këtë novelë dhe, pasa se të shkojë në botën tjetër, pas përballjes me virusin korona, Mumir Ferko (Musli Berisha) i la këtë amanet familjes: Jepja këtë libër për botim Berat Armagedonit, se kujdeset për të po sa unë. Këtë dorëshkrim të librit Berisha ma kishte përmendur gjatë një takimi në kafenenë Edi 2 në Prishtinë po atë ditë kur ia dhashë ekzemplarët e dramës Shihemi prapë unë e ti. Nuk u pashë më me të për të gjallë të tij, por pas disa muajve e pashë veprën e tij. Ma dërgoi gruaja e tij, zonja Bahrije, duke më njoftuar edhe për amanetin e të shoqit që përmenda në fjalinë e parë. Pra, Malli për strofkën botohet pas vdekjes së autorit. Ashtu si në librat pararendës, as në këtë nuk më kishte lënë shumë punë. Mbase kam ndërhyrë në njëzet vende. Në njëzet gabime teknike. Askund dhe asgjë tjetër. Berisha gjuhën shqipe e ka shkruar bukur. E ka shkruar qartë. E ka shkruar pastër.
Në këtë novelë zhvillohet një luftë. Fëmijët rriten, bëhen burra dhe kapin pushkët. Në llogore të luftës e kujtojnë fëmijërinë e përbashkët. Një shok i ngushtë plagoset në luftë teksa, për ta mbajtur shpirtin gjallë, nduk disa kokrra të murrizit. Në gjendjen e rëndë shëndetësore, Bekë Malësori i kërkon shokut të fëmijërisë dhe të luftës, Beharit, mos ta lë vetëm. Behari, barrës së rëndë të vetes i ngarkon shokun e plagosur. E dorëzon në shtab për shërim dhe kthehet në llogore. Lufta përfundon, ata shpëtojnë. Vlerat e luftës pas luftës çoroditen. Beka bëhet kryetar komune, Behari punonjës në komunë. Edhe pse ai përmend se jetën atij ia ka shpëtuar Behari, fillon keqtrajtimin e tij për një “komplot” që, kinse, po përgatiste Behari kundër tij, së këndejmi për një vajzë që e dashurojnë të dy e që ajo e dashuron vetëm Beharin. Përdor edhe institucionet e policisë dhe të shëndetësisë për ta degraduar Beharin. Me ndihmën e tyre, duke i përdorur si vegla, mjekët e shpallin Beharin të çmendur dhe këtë njeri të shëndoshë e dërgojnë në çmendinë.
Berat Armagedoni