Botohet vepra studimore, “Sali Bashota poet i shpirtit”
Libri me studime me titullin “Sali Bashota-Poet i Shpirtit”, me gjithsej 378 faqe, i cili u botua këto ditë nga Shtëpia Botuese “Artini”, i ka dy shenja të veçanta: botohet me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, studiuesit, profesorit Sali Bashota, nga autori Xhemail Ali Peci, me redaktor Qerim Kryeziun dhe recensentë: Fadil Grajçevci dhe Jahir Ahmeti.
Janë këta të katër studentët të gjeneratës së studimeve të vitit 1984, kur Sali Bashota kishte filluar punën e asistentit në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filozofik ( tani Fakulteti i Filologjisë).
Autori i librit, Xhemail Ali Peci, në fillim, në formë prologu, e paraqet parathënien, pastaj bio-bibliografinë e autorit, si dhe esenë me titullin “Prishtina në poezinë e Sali Bashotës”. Më tutje, libri sistemohet në pesë kaptina kryesore dhe në disa nënkapituj të veçantë: poezia, proza poetike, studime e kritikë letrare dhe publicistika, ndërsa në fund trajtohet në formë epilogu parathënia programatike në një studim të Bashotës që ka të bëjë me Shqipërinë Etnike, si dhe jepet biografia e autorit të librit.
Vepra studimore e Xhemail Ali Pecit, është libri i katërt, i botuar deri më tani për krijimtarinë poetike e studimore të Bashotës.Më parë janë botuar librat: Grup autorësh, Sali Bashota preţuit de scriitorii români/Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Bukuresht, (2012) , pastaj libri i Flamur Malokut, Polisemia e veprës (lexime empirike mbi poezinë e Sali Bashotës), Olymp, Prishtinë (2013) dhe nga Gëzim Arifi, Palimpsesti i ideve, Parnas, Prishtinë, (2013).
/KultPlus.com/