Bottas triumfon në Suzuka, Mercedes siguron titullin kampion
Valtteri Bottas është fituesi i çmimit të madh të Japonisë në Botërorin e Formula 1.
Piloti finlandez shfrytëzoi fuqinë e makinës së tij dhe gabimet e Ferrarit në startin e garës duke regjistruar fitoren e tretë sezonale të tij duke lënë në vendin e dytë Sebastian Vettel dhe në të tretin Lewis Hamilton një rezultat ky që i jep mundësinë Mercedes të fitojë titullin e 6 radhazi botëror për konstruktorë.
Kjo fundjavë nuk ishte aspak e zakontë për Formula 1 që i zhvilloi provat zyrtare këtë të diel, pak orë përpara fillimit të garës për shkak të tajfunit ‘Hagibis’ që goditi brigjet japoneze ditën e shtunë. në këto kualifikuese ishin pilotët e Ferrarit me Sebastian Vettel që fitoi pole position duke lënë në vendin e dytë Charles Leclerc.
Por pilotët e Kokëkuqes e kompromentuan fillimin e garës. Sebastian Vettel gaboi në startin e tij dhe komisarët e garës nuk e ndëshkuan gjermanin që gjithsesi u parakalua nga Valteri Bottas që e nisi garën nga vendi i tretë. Gjithsesi Vettel arriti t’i rezistojë Lewis Hamilton me britanikun që u mjaftua me vendin e tretë dhe që po shkon drejt titullit të 6 të tij për pilotë.
Përsa i përket Charles Leclerc, piloti nga Monaco u përfshi në një aksident në kthesën 1 të pistës me pilotin e Red Bull, Max Verstappen që më pas u tërhoq nga gara. Leclerc u detyrua të hyjë në bokset e Ferrarit për të mbyllur garën në vendin e gjashte. nga gabimet e Ferrarit përfitoi Alex Albon i renditur në vendin e 4 duke regjistruar kështu rezultatin më të mirë të karrierës së tij duke lënë pas Carlos Sainz.