Bournemouthi shkatërroi Chelsean
Skuadra e Bournemouth ka bërë këtë të mërkurë atë që nuk kishte mundur dot ta përsëriste që nga shtatori i vitit 1988, madje edhe më shumë. Kuqezinjtë kanë triumfuar në shtëpi përballë Chelseas së Maurizio Sarri me rezultatin e thellë 4-0, në një tjetër surprizë të kësaj jave të Premier League.
Para kësaj përballje, Bournemouth kishte humbur pesë përballjet e fundit në shtëpi ndaj Chelseas, në të gjitha kompeticionet, që nga fitorja 1-0 e shtatorit të vitit 1988.
Një aksion perfekt i Bournemouth ndaj një mbrojtje të shpërbërë të Chelseas çoi në epërsinë e vendasve në minutën e 47’ pas golit të King, 1-0.
Vetëm 16 minuta më pas, nëpërmjet një kundërsulmi fantastik dhe mëse efikas, Bournemouth ka thelluar epërsinë ndaj Bluve të Londrës, kësaj here me Brooks, 2-0, raporton ‘Telesport’.
Kur të gjtihë prisnin reagimin e Chelsesa, kuqezinjtë u kanë dhënë Hazard&Co goditjen fatale, sërish me King, autor i dygolëshit.
Një makth pa fund për Chelsean që ka pësuar golin e katërt në minutën e 5-të shtesë, të shënuar nga Daniels, 4-0.
Chelsea udhëtoi në transfertë këtë të mërkurë për tu përballur me Bournemouth në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-t të Premier League, me një mision të qartë: Blutë synonin evitimin e humbjes së tretë radhazi në transfertë në të gjitha kompeticionet, njëherësh edhe shkëputjen nga ndjekësit e gjurmimin e kryesuesve.
Një mision tërësisht i dështuar për skuadrën e Maurizio Sarri, për të cilin debutoi sot si titullar në Premier League edhe sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain, pa lënë asnjë gjurmë.
Pas javës së 24-t, Blutë e Londrës renditen në vendin e katërt të klasifikimit, në kuotën e 47 pikëve, po aq sa Arsenal që e gjurmon nga pas, teksa nuk arrin të reduktojë distancën nga Tottenham i vendit të tretë. Nga ana tjetër, skuadra e Bournemouth renditet në vendin e 10-të të klasifikimit, në kuotën e 33 pikëve.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë u luajt në “St Mary” edhe ndeshja tjetër, ajo për mbijetesë, mes Southampton dhe Crystal Palace, e përfunduar në barazim 1-1, me gola të realizuar respektivisht nga Zaha që kaloi miqtë në avantazh në minutën e 41’, por i ndëshkuar me karton të kuq vetë 3 minuta para përfundimit të ndeshjes dhe Ward Prowse, që riktheu ekuilibrat në të 77’.