BPSK-ja bën thirrje për protestë më 1 maj
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) u ka bërë thirrje punëtorëve që më 1 maj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës të dalin për të protestuar.
“Punëtorët në Kosovë përballen në baza ditore me padrejtësi dhe me moszbatim të ligjit, andaj është koha që të gjithë së bashku ta ngritim zërin në Ditën Ndërkombëtare të Punës -1 Maj. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës u ka bënë thirrje të gjithë atyre që përballen me mohim të së drejtës për punë, mohim për pagë të dinjitetshme, siguri dhe shëndet në punë t‘i bashkohen protestës gjatë Ditës Ndërkombëtare të Punës – 1 Maj”, është thënë në njoftimin e BSPK-së.
Sipas BSPK-së, protesta do të fillojë në orën 11:00 tek Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar drejt Teatrit Kombëtar, tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
BPSK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë ligjet për të gjithë pa dallim sektori publik e privat dhe pa dallim gjinie.
Sipas BPSK-së, Qeveria duhet ta zbatojë kontratën kolektive, të garantojë siguri dhe shëndet në punë, ta njeh përvojën e punës për vitet ’90 -’99, të aplikon sigurimin shëndetësor, të aprovon pagën minimale dhe të siguron punë dhe jetë të dinjitetshme.
“Numri sa më i madh i protestuesve e bënë edhe thirrjen drejt Qeverisë më të fuqishme. Bashkohu edhe to”, është thënë ndër të tjera në njoftimin e BSPK-së.
/Epoka e re/