BQK-ja anëtarësohet në Grupin Punues Ndërkombëtar për Rrezikun Operacional
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), është anëtarësuar në Grupin Punues Ndërkombëtar për Rrezikun Operacional (International Operational Risk Working Group – IORWG).
Me këtë anëtarësim, BQK-ja do të përfitojë nga pjesëmarrja aktive në ngjarje të ndryshme, nga udhëzimet dhe praktikat më të mira të administrimit të rrezikut operacional që ky Grup i zhvillon.
“International Operational Risk Working Group është i dedikuar për avancimin e menaxhimit të rrezikut operacional në industrinë bankare qendrore. Ky Grup është bërë një forum i rëndësishëm në industrinë globale të bankave qendrore për inovacionin, hulumtimin, të mësuarit kolektiv dhe shkëmbimin e praktikave të shëndosha dhe të mira. Grupi Punues Ndërkombëtar për Rrezikun Operacional, u krijua në tetor të vitit 2005 me propozim të Bankës së Spanjës, me të cilin u pajtuan edhe shtatëmbëdhjetë bankat qendrore, ndërsa sot ky Grup përbëhet nga 95 banka qendrore anëtare”, thuhet në njoftimin e BQK-së.