BQK-ja: Bashkatdhetarët që ishin këtë verë në Kosovë kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka bërë me dije se bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro, teksa tregon se remitencat kanë arritur 651 milionë euro.
“Lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes të bashkatdhetarëve nga vendet që vijnë në Kosovë del që të kemi ardhje të shumë bashkatdhetarëve dhe që të kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve jo-rezidente, që ne i quajmë shpenzime të diasporës, të cilat me të dhënat e korrikut, që i kemi ne në dispozicion shënojnë 630 milionë euro apo me një rritje nëse e krahasojmë mbi baza vjetore del të jetë 140 për qind. Por, edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje rreth 7 për qind. Remitencat vazhdojnë të jenë në rritje, shënojnë 651 milionë euro apo me një rritje vjetore 24 për qind”, ka thënë Mehmeti në një intervistë për “Kosovapress”.
Më tutje, ai ka thënë se parashikimet e BQK-së për këtë vit janë që norma e rritjes ekonomike për sivjet të jetë 6.6 për qind.