BQK-ja e suksesshme në parandalimin e shpëlarjes së parasë në Kosovë
Jemi dëshmitarë se në shumë banka të mëdha, madje edhe ato në Eurozonë, ka pasur raste të pastrimit të parave, ka deklaruar Labinot Preniqi, udhëheqës i Departamentit të Pastrimit të Parave, Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Preniqi në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, ka thënë se në Kosovë fatmirësisht deri më tani s’kishte raste të transaksioneve të shpëlarjes së parave. “Ne në BQK, kemi procedura strikte që ndihmojnë në parandalimin, luftimin e kësaj dukurie dhe për këtë kemi edhe infrastrukturë të mirë ligjore”, është shprehur ai.
Ligji i ri, sipas tij, parashikon masa mjaftë të ashpra kundër kësaj dukurie. Ai ka thënë se BQK-ja, bënë mbikëqyrje, monitorimin, kontrollin e rregullt bë bankat që veprojnë në Kosovë. Përveç kontrolleve të rregullta, sqaroi Preniqi, “kemi edhe kontrolle ad hoc”, në bankat e Kosovës, në mënyrë që të parandalohet kjo dukuri.
Sipas Preniqit edhe kriptovalutat, parja virtuale, s’janë të rregulluara si duhet me ligje. Ai ka thënë se BQK-ja mbikëqyrë rreziqet potenciale nga këto kriptovaluta, të cilat në veti bartin rrezik potencial, për shkak të mungesës së ligjit./Rtk