BQK-ja hap konkurs për zëvendësguvernator
Banka Qendrore e Kosovës, ka shpallur konkurs për zëvendësguvernator për mbikëqyrje financiare.
Përmes një njoftimi, kanë bërë të ditur se zëvendësguvernatori për mbikëqyrje financiare, shërben si anëtar i Bordit Ekzekutiv dhe e ndihmon Guvernatorin në realizimin e operacioneve të BQK-së.
“Është i/e ngarkuar me funksionet e BQK-së për licencim dhe mbikëqyrje të bankave, kompanive të sigurimit, fondeve pensionale dhe institucioneve të tjera financiare. Po ashtu mund të ngarkohet me detyra dhe përgjegjësi shtesë ose portofol tjetër sipas strukturës organizative”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në këtë njoftim të BQK-së janë përcaktuar kushtet për t’u bërë zëvendësguvernator i ri në këtë institucion.
“Të ketë minimum dhjetë vjet përvojë profesionale ose akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike; Të ketë njohuri në zhvillimin dhe implementimin e politikave të rëndësishme të lidhura me objektivat dhe detyrat e BQK-së; Të përmbushë kërkesat nga neni 40 i Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për këtë konkurs.
Kuvendi i Kosovës pesë muaj më parë zgjodhi Ahmet Ismailin guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me 56 vota.