BQK-ja: Janë tërhequr nga qarkullimi rreth 2.5 milionë monedha 2 euro false dhe 266 mijë copë 500-she
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë detaje nga zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme dhe planit për zbatim të lehtësuar, në të cilën përfshiheshin edhe dy euro false.
Sipas njoftimit të BQK-së, nga zbatimi i masave të Rregullores për operacione me para të gatshme, deri në prill 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh.
“Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54 000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara. Është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar”, ka njoftuar BQK-ja.
Më tutje është bërë me dije se janë tërhequr nga qarkullimi mbi 266 mijë copë 500, me vlerë 133 milionë euro.
“Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi). Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro. Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe 57 autorizime (kryesisht të valutave joeuro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro”, ka njoftuar BQK-ja.