BQK-ja: Mbi 300 000 qytetarë shfrytëzojnë shërbimin e-banking
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se llogaritë bankare e-banking, përmes të cilave shërbimet bankare kryhen ‘online’ kanë vazhduar të rriten.
“Në dhjetor 2017 numri i gjithsej llogarive E-banking ishte 301.8 mijë, duke shënuar rritje vjetore prej 30.7 për qind. Po ashtu, numri dhe vëllimi i transaksioneve përmes shërbimit E-banking është rritur. Numri i gjithsej transaksioneve të realizuara përmes llogarive E-banking gjatë vitit 2017 arriti në 3.4 milionë, një rritje vjetore prej 16.9 për qind, ndërsa vlera e gjithsej transaksioneve të realizuara përmes llogarive E-banking arriti në 8.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 26.6 për qind”, është thënë në raportin e BQK-së.
Sipas BQK-së, struktura e llogarive e-banking vazhdon të dominohet nga llogaritë rezidente me një pjesëmarrje prej 98.2 për qind, raporton “RTKlive”.
“Në kuadër të llogarive të rezidentëve, llogaritë individuale bankare përbëjnë 82.5 për qind të gjithsej llogarive përderisa pjesa e mbetur prej 17.5 për qind nga llogaritë afariste. Ngjashëm, struktura e llogarive të jo-rezidentëve dominohet nga llogaritë individuale me pjesëmarrje prej 91.8 për qind, përderisa llogaritë afariste kanë një pjesëmarrje prej 8.2 për qind”, është theksuar më tutje në raportin e BQK-së.