BQK-ja: Norma mesatare e inflacionit më 2023 pritet të bie në 6.2 për qind

16 nëntor 2022 | 12:55

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se sipas projeksioneve të saj, norma mesatare e inflacionit për vitin 2022 në Kosovë, pritet të jetë 11.6 për qind, ndërsa pritet të bie në 6.2 për qind gjatë vitit 2023.

“Sipas zhvillimeve të deritanishme dhe nëse nuk paraqiten pengesa shtesë në zinxhirët e furnizimit dhe dinamikat e tregtisë globale dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare, inflacioni në Kosovë pritet të arrijë 13.5 për qind gjatë TM3 2022, dhe të bie në 12.3 për qind gjatë TM4 2022”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për “Vlerësimin tremujor të ekonomisë”.

Pritjet e bankave për inflacionin, sipas raportit tregojnë trend rritës përgjatë vitit 2022, mirëpo i cili mbetet nën nivelin e projektuar nga BQK-ja dhe nën nivelin aktual të inflacionit deri më tani.

“Për të zbutur ndikimin e inflacionit në ekonomi qeveria ka ndërmarrë disa masa ndër të cilat përfshihet vendosja e çmimeve tavan për derivatet (dizel, benzinë, dhe gaz) nga qershori, si dhe aprovimi i pakos për përballje me inflacion në vlerë prej 150 milionë euro, që parashihet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike sipas kritereve që stimulojnë kursimin e energjisë, rritjen e pagave në sektorin privat, si dhe rritje të njëhershme të skemave sociale dhe pensionale dhe mbështetje financiare të njëhershme për kategori të ndryshme”, thuhet në raportin e BQk-së.

BQK-ja ka njoftuar se buxheti i Kosovës ka shënuar suficit primar buxhetor prej 58.4 milionë euro në TM2 2022, si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave buxhetore krahasuar me shpenzimet, ndërkohë që borxhi publik ka rënë në 20.8 për qind të BPV-së.

Sipas raportit, tё hyrat buxhetore gjatë TM2 2022 arritën vlerën neto 587.6 milionë euro (11.4 për qind rritje), përderisa shpenzimet buxhetore arritën vlerën 529.2 milionë euro (10.1 për qind rritje) dhe rrjedhimisht, Buxheti i Kosovës regjistroi bilanc primar buxhetor prej 58.4 milionë euro gjatë këtij tremujori, raporton RTKlive.

Sistemi financiar, sipas BQK-së, është karakterizuar me qëndrueshmëri dhe pa ndonjë rrezik të materializuar gjatë TM2 2022, përkundër shqetësimeve rreth ngadalësimit ekonomik, presioneve inflacioniste dhe pasigurive të rritura në tregjet ndërkombëtare.

“Sektori bankar ka arritur të sigurojë nivel të lartë të kapitalizmit dhe likuiditetit si dhe të mbajë nivel të ulët të kredive jo performuese ndër vite, gjë që rezulton të jetë përkthyer në rritje të kapacitetit absorbues të sektorit. Përderisa ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar në vend ndaj luftës në Ukrainë është mjaft i kufizuar, rreziqet nga zhvillimet jo të favorshme gjeopolitike, makroekonomike e financiare vlerësohet të jenë transmetuar kryesisht në mënyrë indirekte përmes presionit në nivelin e çmimeve”, thuhet në raportin e BQK-së.

Edhe sektori i sigurimeve rezulton të ketë ruajtur nivelin e rritjes së aktivitetit të një viti më parë, favorizuar nga niveli më i lartë i primeve të arkëtuara dhe rritjes më të ngadalësuar të dëmeve të paguara. Sipas BQK-së, sektori ka operuar me fitim, duke ndikuar në zvogëlim të mëtejmë të humbjeve të akumuluara ndër vite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Brazilit, Danilo ka vlerësuar se Franca dhe Argjentina…